
TIRANË- Procesi i votimit për Primaret e Partisë Demokratike ka përfunduar në selinë blu në Tiranë dhe Kukës. Pjesëmarrja më e lartë ka qenë deri në orën 16:00 në Tiranë, ku votuan 10,779 qytetarë. Në vend të dytë renditet Fieri, ku kanë marrë pjesë 4,240 demokratë, në vend të tretë është Korça me 3,738 votues.
Ndërsa mësohet se në Durrës kanë votuar 3,670 demokratë në Lezhë 2,745, në Kukës 2,280, në Shkodër 3,527, në Elbasan 3,295, në Vlorë 2,143, në Berat 1,464, në Dibër 2,080 dhe në Gjirokastër 1,705 anëtarë.
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën./ZËRI