
TIRANË- Disa orë nga nisja e fushatës së Partisë Demokratike nuk kanë munguar replikat mes kryeministrit Edi Rama dhe këshilltarit të fushatës së kryedemokratit Sali Berisha. Këshilltari i fushatës së PD, Chris LaCivita disa orë nga nisja e fushatës për opozitën ka bërë një reagim në rrjetin social 'X'. LaCivita ka postuar një video të një bufi që ha një mi, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, i cili prej disa kohësh i drejtohet kreut të Partisë demokratike, Sali Berisha me pseudonimin ‘bufi i kënetës’.
“Kush është bufi dhe kush është miu”, shkruan LaCivita.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një intervistë për Top Channel, me gazetarin Muhamed Veliu, e konsideroi Chris LaCivitën si një turist më shumë në Tiranë.
Edi Rama: Kush është ky? A të lutem tashi të mos biem edhe ne në këtë kurthin qesharak të njerëzve që kanë punën e tyre, për kënetë ai është një strateg, për mua është një turist më shumë në Tiranë.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 11 Majit hapet e para nga Partia Socialiste që do të zhvillojë një takim me gratë kandidate për deputete në të 12 qarqet e vendit. Ndërsa demokratët mblidhën sot në orën 19.00 në sheshin Skënderbej./ZËRI