
GREQI- Partia Demokratike zhvilloi sot takim me emigrantët shqiptarë në Athinë, Greqi. Kreu i grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi bëri thirrje emigrantëve të votojnë, ndërsa denoncoi se familjarët e tyre janë kërcënuar se do të përballen me pushim nga puna nëse nuk votojnë. Bardhi tha se personat që po kërcënojnë familjarët e tyre do të përballen me drejtësinë.
“Vota e diasporës është momenti më i rëndësishëm historik në këto 34 vite. Kemi bërë një hap përpara që secili prej jush të votojë aty ku jeton dhe punon. Kjo ju bën pjesë të rëndësishme të asaj se cfarë ndodh në Shqipëri. Kjo ju bën të vendosni për fatin e Shqipërisë.
Ju siguroj për një gjë, secili prej tyre që guxon të kërcënojë familjarët tuaj në Shqipëri se do ti heqin nga puna në këmbim të detyrimit të votës të secilit prej jush do të përballët me drejtësinë dhe do shkojnë në burg. Një dyzinë ministrash dhe deputetësh kanë pushtuar Athinën, Greqinë dhe qytetet kryesore ku janë shqiptarët, duke u bërë presion përmes të afërmeve të tyre që jetojnë mes vështirësive në Shqipëri. Por jam i sigurt që ata kanë gjetur një mur përpara dhe do çajnë vetëm kokën e tyre”, tha Bardhi.
Në këtë takim mori pjesë edhe eurdeputeti Fredi Beleri, i cili iu bëri thirrje diasporës shqiptare që të votojnë. Beleri tha se emigrantët nuk duhet të dëgjojnë propagandën se PD është e përçarë, pasi demokratët janë duke punuar.
“Shqipëria ka nevojë për votën tuaj. Mos dëgjoni propagandë, që thonë se PD është e përçarë, kjo është propagandë. PD është duke punuar. Kush punon, edhe gabon. Të na falni për gabimet.
Ata atje në Bruksel nuk kanë kosto për ne, kanë hallet e veta. Duhet të bashkohemi. Ju duhet ta shpëtoni Shqipërinë nga një rrezik i madh”, tha Beleri.
Vota e diasporës do implementohet për herë të parë këto zgjedhjeve. "Vullneti" i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Por, një nga debatet më së fundmi mes Partisë socialiste dhe asaj demokrate është vlefshmëria e dokumenteve biometrike. Socialistët mohojnë të njohin shqiptarët që kërkojnë të votojnë pa mjete identifikimi ose nëse nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Nga ana tjetër, demokratët kërkojnë që shqiptarët të votojnë, pavarësisht se mjetete e tyre të identifikimit kanë skaduar./ZËRI