Politikë

PD kërkoi heqjen e mandatit të Vullnet Sinajt, Gjykata Kushtetuese e rrëzon

Në padinë e dorëzuar në Kushtetuese para zgjedhjeve të 11 majit, Partia Demokratike kërkoi që të shpallej i papajtueshëm me Kushtetutën vendimi i Kuvendit që lidhej me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

k.m.
PD kërkoi heqjen e mandatit të Vullnet Sinajt, Gjykata Kushtetuese e
Vullnet Sinaj

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për mandatin e Vullnet Sinajt. Në padinë e dorëzuar në Kushtetuese para zgjedhjeve të 11 majit, Partia Demokratike kërkoi që të shpallej i papajtueshëm me Kushtetutën vendimi i Kuvendit që lidhej me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Por sipas Gjykatës Kushtetuese, marrja e një vendimi nuk ka vlerë 6 muaj përpara mbarimit të mandatit.

Pas marrjes së vendimit, edhe pse ende nuk është i zbardhur, ka pasur edhe një reagim nga Sinaj. Në rrjetet e tij sociale, socialisti shkruan se nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, duke e cilësuar vendimin e GJK-së, si një fitore politike të tij kundër kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. 

REAGIMI I PLOTË:

Përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën absurde të 14 deputetëve të PD-së, të drejtuar nga humbësi serial Gazment Bardhi, për heqjen e mandatit tim të deputetit. Duke treguar integritet dhe duke mos rënë pre e presionit dhe populizmit politik, Gjykata legjitimoi vendimin e Kuvendit të datës 30.01.2025 i cili argumentoi se nuk ka asnjë konflikt interesi apo papajtueshmëri me mandatin tim të deputetit. Siç e kam thënë më herët, nuk kam përfituar kurrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, përkundrazi, jam kujdesur që të heq dorë nga administrimi i bizneseve të mia, që para se të merrja mandatin e deputetit për herë të parë në vitin 2017. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese uroj ta njohë e ta respektojë edhe humbësi serial, Gazment Bardhi dhe babai i tij politik, humbësi kronik në krye të PD. Mandati im i deputetit, është mandati i popullit! Siç i pata premtuar të ziut Bardhi, edhe nëse kisha ndërmend diçka tjetër, beteja e tij e ulët politike më nxiti të hyj sërish në garë, ndaj në shtator do të më ketë sërish përballë në Kuvend! Ditë të mbarë! 

Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike.Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.

Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve. Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij. Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k./ZËRI

Poll

MOS HUMB