TIRANË- Partia Demokratike kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Kukësit. Por, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranoi vetëm dy kërkesa të Partisë Demokratike dhe i rrëzoi tre të tjera në lidhje me pretendimet e saj për shpalljen të pavlefshme të rezultatit zgjedhor për Qarkun e Kukësit. Në vazhdën e ankimimve të Partisë Demokratike për procesin zgjedhore të 11 majit, në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, u zhvillua mbledhja e radhës. Në mbledhjen e sotme, përfaqësuesi i koalicioni "PD-ASHM", Franc Nuri lexoi pretendimet e opozitës para KAS.
"Pati parregullsi të shumta brenda dhe jashtë vendit me votën e diasporës. Ne mendojmë se ndarja e mandateve mund të ishte në favorin tonë, shkeljet janë të tilla që mund të kishin ndikuar edhe në ndarjen e rezultatit,"-tha në fjalën e tij, Franc Nuri. Ndërkohë që në mbrojtje të tyre, Pavlina Doçaj, drejtore e Ligjshmërisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tha se përfaqësues të opozitës nuk e kanë konstatuar në asnjë moment procesin.
“Numëruesit dhe Komisionerët e PD, firmosën dhe nënshkruan të gjitha tabelat përmbledhëse. Jo vetëm që nuk kanë kontestuar proçesin, por i kanë firmosur ato. Nuk jemi në kushtet e përsëritjes së zgjedhjeve sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor."
Po ashtu, në fjalën e tij, përfaqësuesi i PD-ADSHM, Franc Nuri, pretendoi se lista ka pasur edhe persona që e kanë lënë shtetësinë shqiptare, por sërish kanë marrë zarfin dhe kanë votuar në zgjedhjet e 11 majit.
"Kemi të dhëna që persona që kanë lënë shtetësinë shqiptare figuronin ende në listat e zgjedhjeve deri para pak kohë para zgjedhjeve. Kemi pasur një listë me 137 emra dhe ja kemi dhënë KQZ. Unë shpjegova se nëse ka disbalancë mes numrit të votuesve, pra personave që kanë votuar dy herë ka risk për përdorim të trenit bullgar dhe prandaj ne kërkojmë këto të dhëna. Ka pasur persona që e kanë shtetësinë shqiptare dhe figurojnë edhe tek diaspora dhe këtu në Shqipëri,"- tha ai. Por kur u pyet nëse kishte një listë të këtyre emrave nga Ilirjan Rusmajli, Nuri tha se nuk e posedonte një listë të tillë, por kishin të dhëna që i provonin pretendimet e tyre.
Kështu, KAS vendosi të pranojë kërkesën e PD si prova për përsëritjen e zgjedhjeve në Kukës për studimin e të dhënave të DHL (për votat e Greqisë) si edhe raportin e audituesve teknicienë.
“Ne e konsiderojmë që kjo kërkesë duhet pranuar të paktën për Greqinë, aq sa disponohet aktualisht. Pra zoti Nuri sipas protokollit për ruajtjen e konfidencialitetit për të dhënat personale. Kjo kërkesë duhet pranuar për aq sa disponohet prova,”- lexoi Rusmajli vendimin e KAS-it.
Por u rrëzua kërkesa për kryqëzimin e shenjave të gishtave nga pajisjet PEI me votuesit dhe i vënies në dispozicion të regjistrave të posaçëm të çdo qendre votimi dhe as procesverbalet e mbylljes së QV.
“KAS vendosi që të mos e pranojë këtë kërkesë për shkak se kërkesa nuk ka lidhje me marrjen e një prove, prova nuk ekziston,”- tha Rusmajli.
Po ashtu, Partia Demokratike ka ankimuar edhe rezultatet në Berat, Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Vlorë./ZËRI