TIRANË-Shtatori pritet të bëjë ‘tërmet’ brenda Partisë Demokratike! Vorbulla mes opozitarëve po sillet rreth vendit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe se si do të përcaktojë drejtimin e saj politik në raport me Parlamentin e ri. Nga anëtarët aktualë vetëm 18 u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e 11 majit, kurse të tjerët nuk dihet çfarë 'fati' do të kenë.
Ndërkohë edhe 9 muaj kanë mbetur nga mbarimi i mandatit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe duhet të rihyjë në zgjedhje për kryetar. Por edhe pse në mes janë shumë muaj, disa prej demokratëve të zgjedhur deputetë apo të tërhequr nga radhët e opozitës, kanë kërkuar largimin e Berishës dhe shprehur dëshirën për të zënë postin e kryetarit.
Vetë Berisha ka deklaruar se nuk do të respektojë nenin “Basha” dhe nuk do ta fusë partinë në zgjedhje të reja për kryetarin.
Çfarë thotë Neni 46, statuti i PD?
Pika 6- Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të fshehtë të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH. Mandati i kryetarit është katër vjet.
Pika 8-Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.
Por kush është ngritur kundër Berishës dhe kush e mbështet atë?
Gjithçka duket se nisi me një deklaratë të kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, i cili u shpreh se duhet një analizë brenda Partisë Demokratike për analizën e zgjedhjeve të 11 majit, ka hapur diskutim për opozitën. Qosja kërkoi një riformatim të thellë të partisë, nga baza deri në kryesi. Deklarata e tij u mbështet nga deputeti demokrat Dashnor Sula, i cili i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të marrë në konsideratë thirrjen e kryebashkiakut të Kavajës. Sipas tij partia do të duhet që të reformohet dhe në postet drejtuese të jenë të rinjtë.
Pas tyre ish-deputeti Ferdinand Xhaferri raportoi se tashmë një grup drejtuesish demokratë, nga strukturat e ndryshme të Partisë Demokratike, janë në fazën finale të organizimit të një lëvizjeje të re politike brenda partisë, e cila duket se do të sfidojë drejtpërdrejt hegjemoninë e Sali Berishës. Qëllimi i lëvizjes është t’i japë PD-së një drejtim të ri, larg, siç e cilëson ai, "axhendës personale" të liderit aktual.
Edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, me bindjen se do të jetë në Parlament edhe pse nuk fitoi një mandat, ka paralajmëruar zhvillime te forta në vjeshtë, që do shkaktojnë tërmet në listën e Partisë Demokratike për Tiranën. Ndër të tjera, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, u shpreh se nëse Berisha vendos të hapë garën për kryetar, do të jetë një prej kandidatëve.
Por ka edhe nga ata opozitarë, të cilët janë kundër largimit të Berishës. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka hedhur poshtë lëvizjen nga kritikët e kryetarit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një “pasion momental” dhe jo si një proces serioz.
Por vetë Berisha, duket se ka hapur krahun, ku në një konferencë për shtyp garantoi se nuk do të pengojnë PD të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj.
Ndryshimet në Kryesi- Emrat në ‘rrezik’
Ndryshimi i përbërjes së grupit të deputetëve dhe emrat që do të marrin pozicione drejtuese në komisionet parlamentare me nisjen e legjislaturës së re, do të largojnë jo pak figura nga kryesia e PD. Nga anëtarët aktualë vetëm 18 u zgjodhën deputetë, kurse të tjerët nuk dihet çfarë 'fati' do të kenë.
Ferdinand Xhaferri duhet të lirojë karrigen e tij në kryesinë e PD. Ai u fut për shkak se ishte nën-kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare gjatë kohës që ishte deputet. Edhe Ervin Salianji pas lirimit të vetmin post të mbetur ka atë në Kryesi.
Si deputet u afrua në kryesi edhe Helidon Bushati, por as ky i fundit nuk u rizgjodh ndaj pozicioni i tij si anëtar exofficio vihet në pikëpyetje. Zheni Gjergji, u fut në kryesi në mars të 2024, kur grupi Bardhi iu bashkua Sali Berishës, për shkak se drejtonte Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.
Në pikëpyetje është edhe Gazment Bardhi. Neni 51 i statutit e përcakton qartë se një prej nënkryetarëve është automatikisht dhe kreu i grupit parlamentar të PD. Bardhi i mban për momentin të dyja këto poste, por në shtator mund të rrezikojë.
Konkurrenca është e fortë edhe mes Oerd Bylykbashit ose Ivi Kasos, në rast se Berisha nuk do i angazhojë në një Reformë te re Zgjedhor. Në parlament hyjnë edhe Arian Ndoja, Gjin Gjoni apo Gent Strazimiri.
Sa i përket qëndrimit në Kuvendin e ri vetë kreu i Partisë Demokratike, ka lënë të hapura të gjitha opsionet për veprim, nga bojkotimi i Kuvendit deri tek format më ekstreme të protestës brenda sallës. Mendimi i tij është mbeshtetur edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili u shpreh se rikthimi në Kuvend në sezonin e ri parlamentar të opozitës do të vendoset nga forumet e larta të PD.
Deri në këtë fazë asgjë nuk është e sigurt në PD, shtatori pritet të vendosë gjithçka!/ZËRI



