TIRANË-Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka hedhur poshtë lëvizjen e paralajmëruar brenda Partisë Demokratike nga kritikët e kryetarit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një “pasion momental” dhe jo si një proces serioz. Boçi theksoi se vota përcakton se kush duhet të ikë dhe të vijë, në të kundërt duhet të shohin opsionin e fraksionit. Sipas tij nisma për të larguar Berishën është pa efekt dhe do të kalojë.
“Si mund të largosh një njeri nga drejtimi kur atë e vendos apo e heq vota apo vullneti i demokratëve? Jam disaprovues totalisht. Në PD, secili ka mendimin e vet ndryshe, mund ta shprehë, është diçka që ne e kemi pranuar vetë, e kemi zhvilluar dhe lejuar dhe kemi pranuar edhe fraksionet, dhe nëse dikush ka autoritetin për të bërë një fraksion, le ta bëjë; të mos e tregojë me autoritetin për ta hequr. Ne duhet të ndërtojmë; për të shkatërruar bëhet shumë kollaj. Ndërsa kjo më duket pasion momental, çështje dhe spiunimesh apo edhe çështje e marrjes përsipër e atyre veprimeve që tërheqin vëmendjen. Do kalojë!"- u shpreh ai në një intervistë për Top Channel.
Shtatori pritet të jetë muaji ku PD do të përcaktojë drejtimin e saj politik, si në raport me Parlamentin ashtu edhe në organizimin e brendshëm. Mbetet për t'u parë se çfarë do të ndodhë brenda Partisë Demokratike, teksa edhe 9 muaj kanë mbetur nga mbarimi i mandatit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe duhet të rihyjë në zgjedhje për kryetar. Nënkryetari demokrat la të hapura të gjitha opsionet për veprim, nga bojkotimi i Kuvendit deri tek format më ekstreme të protestës brenda sallës./ZËRI