Politikë

Pas shkarkimeve masive, qeveria "dërgon në shkollë" bashkitë! Krijohet Akademia e Pushtetit Vendor, do të trajnojë administratën lokale

Qëllimi i Akademisë konsiston në zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale.

zh.ll
Pas shkarkimeve masive, qeveria "dërgon në shkollë"
Foto ilustruese

TIRANË- Qeveria shqiptare do të krijojë një Akademi të Pushtetit Vendor, kështu është bërë me dije në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Sipas këtij vendimi, Akademia do të trajnojë të gjithë punonjësit e bashkisë, që nga kryetari e deri te punonjësi më i thjeshtë. Qëllimi i Akademisë konsiston në zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale.

Siç bëhet me dije në vendim, ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, do të drejtojë këtë Akademi, e cila do të funksionojë si një organizatë jofitimprurëse. Ministri përgjegjës për çështjet vendore do të ketë një rol drejtues në këtë nismë, duke qenë pjesë e komitetit drejtues të subjektit të përbashkët. Do të jenë bashkitë ato që do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e Akademisë, ndërsa qeveria do të mbulojë kostot fillestare të themelimit të organizatës si dhe jo më pak se 50% të shpenzimeve operacionale për tre vitet e para.

Vlen të theksohet se ky vendim vjen pas takimeve të kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët e vendit pak ditë më parë, ku kërkoi me ultimatum largimin e zv.kryetarëve të bashkisë, drejtuesve të institucioneve lokale, si dhe të atyre të njësive administrative.

VKM e plotë

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të  pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Autorizimin e ministrit përgjegjës për çështjet vendore për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, për krijimin e subjektit të kompetencave të përbashkëta, në formën e organizatës jofitimprurëse, për zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ndihmesa financiare konsiston në mbulimin e kostos fillestare të themelimit të subjektit të kompetencave të përbashkëta dhe të jo më pak se 50% të kostove operacionale të funksionimit të saj për tri vitet e para të funksionimit për përmbushjen e objektivave.

Ministri përgjegjës për çështjet vendore merr pjesë në komitetin drejtues të subjektit të kompetencave të përbashkëta.

Ndihmesa financiare, sipas pikës 2 të këtij vendimi, të parashikohet në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet vendore, Ministria e Financave dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ZËRI/

Poll

MOS HUMB