Politikë

Karrigia e Lapajt në rrezik/ Vijon "lufta", i drejtohet me letër KQZ: Të njihen dorëheqjet, s'mund të kërkojnë tani mandatin

Në letër, Lapaj kërkon pavlefshmërinë e revokimeve të dorëheqjeve, duke theksuar se në kontekstin elektoral, kjo përbën një akt të pakthyeshëm.

zh.ll
Karrigia e Lapajt në rrezik/ Vijon "lufta", i drejtohet me
Adriatik Lapaj

TIRANË- Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i është drejtuar me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), lidhur me firmat e dorëheqjeve të kandidatëve të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” për zgjedhjet e 11 majit. Në letër, Lapaj kërkon pavlefshmërinë e revokimeve të dorëheqjeve, duke theksuar se në kontekstin elektoral, kjo përbën një akt të pakthyeshëm.

“Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025”, theksohet në letër.

Siç vë në dukje Lapaj, këta kandidatë, duke u tërhequr nga kandidimi, nuk kanë qenë subjekt garues për zgjedhjet parlamentare dhe veprimi i tyre nuk mund të zhbëhet me asnjë deklaratë të mëvonshme. Ai sqaron kushtet kur kemi të bëjmë me heqje nga kandidimi dhe jo dorëheqje nga mandati, teksa kërkon që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur.

"Në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kanididimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në listë, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve. Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur”, thuhet ndër të tjera në letrën e "Shqipëria Bëhet".

Kujtojmë që "kriza" në koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik që do të zgjidhet vetëm në KQZ./ZËRI/

Poll

MOS HUMB