Politikë

Pas qyteteve në 'sitë' dhe rrugët kombëtare, Rama: Çlirim nga rraqet e bizneseve, afat deri në 31 korrik

Rama paralajmëron se bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali

F.I
Pas qyteteve në 'sitë' dhe rrugët kombëtare, Rama:
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-Aksioni për lirimin e hapësira publike është edhe në rrugët kombëtare. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se ka nisur aksioni për pastrimin e rrugëve nga objektet e ndryshme të vendosura në mënyrë të paligjshme buzë akseve rrugore. Rama paralajmëron se bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës.

Edi Rama: Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës
Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se
20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë - përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH. Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE.

Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin./ZËRI

Poll

MOS HUMB