
TIRANË-Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa kanë ideuar dhe vendosur nën funksion një mekanizëm për përfitime të parregullta financiare, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë. Vetë Ajola Xoxa ka patur një rol të rëndësishëm, duke i qëndruar krah bashkëshortit të saj.
Lekët e përfituara u tjetërsuan në formën e pasurive të paluajtshme, të tipit “Vilë” në Qerret tek kompleksi “Marea Resort”, ose janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga Ajola Xoxa. Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa përdorën bizneset dhe OJF për të futur paratë në banka. Llogaritë bankare po ashtu figurojnë në emër të bashkëshortes së kryebashkiakut, e cila kishte zgjedhur bankën “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare” për të mbajtur shifrat marramendëse. Të dyja llogaritë në shumën totale prej 869,149.78 Euro janë sekuestruar nga GJKKO.
"Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetasës A. X. dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro,"-thuhet në njoftimin e SPAK.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është vendosur në pranga në masën e 'arrestit me burg', ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa është lënë në 'arrest shtëpie'. Veliaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 260 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal. Bashkëshortja e tij akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.