
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të zhvilluar seancën paraprake ndaj tij. Ndreca, së bashku me disa ish-zyrtarë të tjerë, akuzohet për shkelje ligjore të ndodhura gjatë kohës që ai mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, Ndreca tha se nuk është konstatuar asnjë shkelje ligjore e kryer nga ai. Më tej, socialisti akuzoi SPAK për shkelje të procedurës hetimore.
“Nuk është konstatuar asnje shkelje në këtë procedurë. Pra është vlerësuar nga Gjykata Administrative dhe ka thënë se procedura është e rregullt, pra është e ligjshme. Është vlerësuar nga KPP që është organi më i lartë, në kuadër gjyqësor në prokurorimin publik dhe e ka konsideruar se vlerësimi është i saktë dhe i drejtë. Kërkuam pushimin e çështjes dhe pavlefshmëri aktesh, sepse kemi konstatuar shkelje proceduriale nga Prokuroria e Posaçme”, tha Ndreçaj.
Ndërsa i pyetur për deklaratën e ish-zëvendësministrit Gjon radovani se nuk është paguar për tenderat, Ndreca tha se nuk është investuar.
“Nuk është investuar. Procedura nuk është bërë. Referuar kësaj procedure, sepse mund të jetë bërë me procedura të tjera. Kjo procedurë nuk ka shpenzuar asnjë lekë nga buxheti i shtetit”, shtoi Ndreca.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, aktualisht deputet i Partisë Socialiste Plarent Ndreca akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.
Sipas SPAK, Ndreca dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Gjon Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me bashkimin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk, ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore. Radovani sikurse thuhet në dosjen e SPAK rezulton të jetë mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka shkëmbyer dhe mesazhe. E duket se për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me titullarin e institucionit, kompania e tij ka fituar dhe tendera pranë ministrisë së Brendshme. /ZËRI