TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot ka adresuar mungesën e një ligji për referendumet në Shqipëri. Balla u shpreh se janë hedhur hapat për të miratuar këtë ligj në mungesë dhe tashmë një drat është gati. Kreu i grupit parlamentar u shpreh se procesi do të jetë i gjatë dhe drafti do të kalojë fillimisht për konsultim disa tryeza të mëdha me juristë e anëtarë nga shoqëria civile. Balla shtoi se është e rëndësishme që shqyrtimi i procesit nga Gjykata Kushtetuese të mos kërkojë më shumë se 3 muaj kohë.
Taulant Balla: Ajo që u komunikua nga kryeministri Rama në fund të javës së kaluar, pas më shumë se dy dekada të miratimit të Kushtetutës është pa vend mungesa e një ligji të posaçëm për referendumet në Shqipëri. Jeni në dijeni të faktit që në Shqipëri Kushtetuta përcakton se si mbahen referendumet dhe po ashtu se si përmes referendumit mund të miratohen amendamentet e Kushtetutës, por sot jemi këtu për t’i dhënë udhë këtij procesi të gjerë e të gjatë. Para se drafti të depozitohet në Kuvend, do t’i nënshtrojmë një proces të gjerë konsultimi. PS do të zhvillojë disa tryeza të mëdha konsultative me juristi, profesoratin, studentë, shoqërinë civile, me qëllim që të shkojmë në një draft e projekt të mirë konsoliduar. Ligji nuk i ndalon forcat politike të angazhohen pro ose kundër. Zhvillimi i fushatave kërkon kohë për secilën nga palët e përfshira. Për të shkurtuar kostot, mund të bëhet që ditën që mbahen zgjedhjet, të mbahet edhe një referendum, kushtetuta nuk e ndalon. Sa i përket Partisë Demokratike, dua të them sot, gatishmërinë tonë të plotë, edhe nëse duan, ligjin për referendumet, jemi të gatshëm edhe t’i presim, por s’kanë për të ardhur kurrë.
Referendumi është një mjet i demokracisë direkte që shërben për të transferuar fuqinë vendimmarrëse nga partitë politike tek qytetarët. Një e drejtë që buron nga Kushtetuta e cila parashikon ushtrimin e sovranitetit nga populli përmes shprehjes me votë në lidhje me çështje të interesit publik. Referendumi është parashikuar në nenet 150, 151/2, 177 dhe 108, pika 4 të Kushtetutës.
Cilat janë disa nga referendumet e aplikuara në vendin tonë
-Në 6 Nëntor 1994 është zhvilluar referendum i përgjithshëm për projekt kushtetutën e përgatitur në atë kohë. Shumica e zgjedhësve i thanë jo këtij referendumi.
-Më 29 Qershor 1997 u zhvillua referendum i përgjithshëm për formën e qeverisjes me alternativat “Republikë” ose “Monarki Kushtetuese” ku shumica e zgjedhësve zgjodhi formën “Republikë”
-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar në 28 Nëntor të vitit 1998 me anë të referendumit, ku shumica e zgjedhësve i thanë po Kushtetutës së re.
Pra për herë të fundit shqiptarët votuan në një referendum për miratimin e Kushtetutës në vitin 1998 ndërkohë që deri më sot, në vendin tonë nuk janë zhvilluar referendume lokale./ZËRI