Politikë

Ministri i Brendshëm prezanton 12 drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë (EMRAT)

Ministri Hoxha ka këshilluar drejtuesit e rinj që të kenë një qasje më proaktive ndaj denoncimeve të qytetarëve, por edhe mediave. 

k.m.
Ministri i Brendshëm prezanton 12 drejtorët e Drejtorive Vendore
Ervin Hoxha

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka prezantuar 12 drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë së Shtetit. Në prezantimin e emrave të rinj, ministri Hoxha dha edhe një porosi: zbardhjen e masakrës së Dobraçit në Shkodër, ngjarje nga e cila ndërruan jetë 4 persona, 2 prej tyre persona të pafajshëm. Por përveç zbardhjeve të ngjarjeve kriminale, ministri Hoxha ka këshilluar drejtuesit e rinj që të kenë një qasje më proaktive ndaj denoncimeve të qytetarëve, por edhe mediave. 

“Ngjarja e Shkodrës duhet të zbardhet plotësisht dhe para drejtësisë duhet të dërgohen autorët. Madje edhe çdo ngjarje e vogël që nuk bën lajm e bujë duhet të marrë vëmendjen e duhur nga Policia,”-tha ministri Hoxha. Ndërkohë që dje, në Komisionin e Sigurisë, kryepolici Ilir Proda lajmëroi se ngjarja e Shkodrës do të zbardhej shumë shpejt. Madje dha edhe garanci. Kështu që tashmë është detyra e Fatmir Lleshajt që të çojë deri në fund zotimin për zbardhjen e ngjarjes në Shkodër. 

LISTA DHE EMËRIMET:

Elton Allushi -Tiranë

Erjon Ahmeti – Korçë

Luigj Vathi - Berat

Artion Duka - Dibër

Fatmir Hoxha - Elbasan

Gentian Berberi - Kukës

Altin Mena - Lezhë

Skënder Hita - Fier

Fatmir Lleshaj - Shkodër

Elidon Çela - Vlorë

Altin Merizaj - Gjirokastër

Vilson Bala - Durrës

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha:

Sot përmbyllet një tjetër fazë e procesit konkurrues, meritokratik, transparent, bazuar në reformën më të re të ligjit të mazhorancës parlamentare, për emërimin e drejtuesve të Policisë në qarqe. Kemi 12 drejtues të rinj të Policisë, të dalë nga konkursi ku morën pjesë 43 konkurrentë dhe të cilët përfaqësojnë një gjeneratë të re oficerësh, që pas një eksperience të krijuar që nga shkalla e parë e karrierës, marrin sot barrën e drejtimit të uniformave në 12 drejtoritë e policisë në qarqe. Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e derisotëm, të cilët meritojnë respektin tonë për kontributet e çmuara në karrierën e tyre të gjatë në Policinë e Shtetit dhe kam besim se me bagazhin e eksperiencës së tyre do të jenë një mbështetje shumë e madhe e mëtejshme në çdo detyrë tjetër të shërbimit të Policisë së Shtetit. Vizioni ynë Shqipëria 2030 dhe ambicia jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade - ku përmbushja e të gjitha kritereve dhe anëtarësimit na sfidon të gjithëve për të bërë çdo ditë më shumë - na imponon thellimin e të gjithë progresit të bërë në transformimin e Policisë së Shtetit.

Drejtuesit që sot marrin detyrën, janë përzgjedhur për kompetencën dhe aftësinë e tyre, por edhe për integritetin e figurës, për të cilin është bërë një qëmtim i veçantë në bashkëpunim me organet përkatëse ligjzbatuese. Siguria e lartë nuk është vetëm një ambicie, por një e drejtë e çdo qytetari dhe komuniteti në Republikën e Shqipërisë, pa harruar miliona vizitorët e huaj, që tanimë janë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve anembanë vendit. Drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit do të sigurojnë praninë e strukturave të rendit në çdo cep të Shqipërisë, forcimin dhe lidhjen me qytetarët e me komunitetet dhe reagimin e shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale, të mëdha a të vogla. Për shembull një nga ngjarjet si ajo e javëve të shkuara në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt. Rënia e numrit të vrasjeve vit pas viti, duhet të vazhdojë drejt normalitetit mesatar të policive europiane, por ne duhet të synojmë edhe më shumë se sa kaq, sepse asgjë nuk na pengon të shkëlqejmë në këtë drejtim në rrugën tonë. Por edhe çdo ngjarje e vogël, që nuk bën lajm e bujë, por që cenon sigurinë e pronës dhe qetësinë e qytetarëve apo familjeve, duhet të marrë vëmendjen e duhur nga Policia e Shtetit. Në këtë sens duhet të marrin fund praktikat e shqetësimit të qytetarëve në fshat, që ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm të policisë për riparimin e një palë shkallëve ose një avllie, ndërkohë që Policia e Shtetit ka mision tjetër dhe fokusin e saj duhet ta përqendrojë në rastet e abuzimeve të pajustifikueshme në zonat turistike, shtretërit e lumenjve apo rrugët e vendit, ku çdo ndërhyrje e paligjshme e çdo natyre përbën një vepër penale.

Nga ana tjetër modernizimi i shërbimeve policore kërkon një hov të mëtejshëm. Policia e Shtetit 2030 duhet të jetë një polici e pajisur me sistemet e nevojshme teknologjike, të inteligjencës digjitale dhe është e papranueshme që të mos shpenzohen fondet e veçanta, të vëna në dispozicion nga qeveria për këtë ambicie madhore, thjesht e vetëm nga inkompetenca dhe zvarritjet e shkaktuara prej burimesh njerëzore të papërshtatshme për këtë mision dhe për të kryer këto detyra. Drejtoria e Përgjithshme dhe drejtuesit e rinj duhet t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë projekteve inovative, të cilat na ndihmojnë tejmase për të kontrolluar territorin, mbikëqyrur trafikun, parandaluar dhe goditur kriminalitetin. Le të jemi më të qartë dhe të vetëdijshëm se lufta kundër kriminalitetin, kërkon jo vetëm përballje frontale me çdo fenomen dhe element kriminal, por edhe një vullnet të palëkundur për vetëpastrim në radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element i prekur prej virusit të krimit apo të korrupsionit. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në çdo qark, me Prokurorinë e Posaçme në qendër, si edhe me Shërbimin Informativ të Shtetit është pozitiv, por duhet ngritur në nivele shumë më të larta. Shqipëria është një vend i vogël dhe bashkëveprimi i këtyre strukturave kyçe të sigurisë është kyç për një sukses të sigurtë dhe të qëndrueshëm në Shqipëri pa telashe të lidhura me krimin e me rendin publik në tërësi. Këto përzgjedhje që hyjnë sot në fuqi, anë më shumë se një emërim dhe rutinë e disa oficerëve të rinj në drejtimin. I gjithë ky ekip i ri është njëkohësisht besim tek një gjeneratë e re dhe ambicie drejt një niveli të ri të shërbimit të Policisë së Shtetit.

Ky proces konkurrues, meritokratik e transparent, do të vazhdojë më tej, për të zgjedhur drejtuesit e rinj në 48 komisariate të policisë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Aktualisht kemi një numër prej 290 konkurruesish që do të marrin pjesë në një garë për 48 pozicionet e ardhshme. Iu kërkoj sot drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve por edhe shqetësimeve e problematikave që media ngre, duke i trajtuar ato me seriozitet, transparencë dhe paanshmëri.

Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve përfundoi pak ditë më parë shqyrtimin e dokumentacionit dhe intervistave të zhvilluara nga kandidatët që kanë aplikuar për pozicionin “Drejtor i Drejtorisë Vendore” në Policinë e Shtetit. ZËRI publikoi listën e pikëve të fituara nga secili kandidat, ku vendin e parë e mbante Vilson Bala me 91 pikë, i pasuar nga Elidon Çela dhe Elton Alushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB