
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat tha se PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet, duke lënë si mundësi përfshirjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në Listat e PD-së.
Pyetje: Në të shkuarën Ilir Meta ju ka ndihmuar dy herë duke strehuar kandidatët tuaj, për shkak të situatës me vulën dhe logon e PD në zgjedhjet lokale. Tashmë që Ilir Meta është në burg dhe situatë të vështirë politike, do të ja ktheni dhe ju nderin në një farë mënyre dhe duke i siguruar vende të sigurta për kandidatët e tij në zgjedhje.
Sali Berisha: Çështja e koalicionit është një çështje e hapur. PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet. Partia e Lirisë është një parti aleate. Ilir Meta është një i burgosur politik. Siç e dini ju, Edi Rama urdhëroi pusinë ndaj tij, çoi bastardin e familjes Hoxha për të qenë i sigurt. Për herë të parë në histori, rendi ka dy policë në krye. Proda është një eksponent i krimit, mbiemër të dytë meriton Shullazi me të dhëna të implikimit të thellë. Dhe nuk mjaftoi ky, po u mor një nga specialistët më të mëdhenj të gjobëvënies në rrugë, ish-famoz për policët rrugorë që gjobiste, u bë ministër. A e kuptoni ju se çfarë degradimi të tmerrshëm, prandaj dhe Shqipëria në funksionimin e administratës renditet në 14 vendet me administratë më të papërshtatshme në planet. World Justice Project i ka bërë autopsinë narkoregjimit të Edi Ramës.
Në shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u takua me presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në fokus të takimit ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Kjo pasi aleatët e opozitës do të duhet që të përcaktojnë përbërjen e listave shumëemërore ku do të listohen kandidatët për deputetë. PD e drejtuar nga Sali Berisha në këto zgjedhje e ka vetë vulën dhe logon e partisë, ndaj nuk ka më nevojë për ndihmën e Metës, pasi në zgjedhjet e fundit (ato lokalet), kandidatët garuan nën logon e koalicionit "Bashkë fitojmë". Ndaj takimi ishte i fokusuar në maksimalizimin e votës së opozitës dhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare.
Asokohe, Meta nuk shprehu asnjë preferencë, nëse përballë Ramës duhet të futen me një listë të përbashkët kandidatësh apo me lista të ndara, duke ia lënë në dorë Partisë Demokratike që të marrë një vendim.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI