
TIRANË- Kreu i komisionit anti-korrupsion, Fatmir Xhafaj gjatë një konference për mediat tha se komisioni parlamentar Anti-Korrupsion tha se do të ndjekë një proces ku do të trajtohet në 12 tryeza diskutimi. Gjithashtu ai ftoi edhe Partinë Demokratike të marrë pjesë në këtë komision. Xhafaj tha se ka dërguar një kërkesë opozitës por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Përkundër çdo kritike që nuk ka munguar këto kohë, kemi pritur me padurim këtë moment sepse donim të dilnim me një bilanc konkret të punës së bërë. Sipas parashikimit në rezolutë për ngritjen e komisionit jemi në fazën e 1, përpilimi i dokumentit analitik. Draft për mirëqeverisje, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Po projektojmë një proces të gjerë konsultimi. 12 tryeza diskutimi, ku do marrin pjesë grupet e interesit, biznesi, profesionistë etj. Ky nuk është projekt ndërkombëtar por është i shqiptarëve. Është angazhimi ynë për të reformuar jetën politike e institucionale në këtë vend. Ndërkombëtarët i kemi kërkuar ne për asistencë dhe monitorim. Sot janë pjesë e procesit me ekspertët e tyre për asistencë e monitorim. I vetmi grup që mungon është PD, ata kanë zgjedhur një qëndrim të tyre në këtë çështje, si dhe në komisione të tjera. Kuvendi i ka përjashtuar por ata kanë vendet e tyre në këtë komision. U kemi bërë ftesë për të marrë pjesë me ekspertët e tyre, për të shfaqur opinionin e forcave politike që përfaqësojnë. Kjo nuk është histori e parë. Kështu ka qenë dhe me Reformën në drejtësi. Për gati një vit PD nuk ka marrë pjesë në një vit, por është përfshirë kur janë diskutuar amendamentet kushtetuese dhe në vazhdim. Nuk është një zgjedhje e drejtë në mendimin tim, por është zgjedhje e tyre”, tha Xhafa. /ZËRI