
TIRANË-Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm që konstituohet në shtator, pasi u kandidua në listën e hapur dhe nuk arriti të marrë mandatin në zgjedhjet e 11 majit, në Qarkun e Tiranës. Sot po mbahet seanca e fundit në Kuvend dhe Çupi, e cila nuk do të rikthehet në shtator me deputetët e rinj ka ndarë një mesazh të fundit në rrjete sociale.
Deputetja shkruan se ishte pjesë e Kuvendit që prej vitit 2016 dhe se nuk ka kursyer as kohë, as zemër, as forcë për t’i shërbyer qytetarëve, duke besuar fort që politika ka qenë gjithmonë përgjegjësi dhe përkushtim për të mirën e përbashkët.
Postimi i plotë:
Prej vitit 2016, kam patur krenarinë të jem përfaqësuese e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, forcës politike që mbart idealet e lirisë dhe të shërbimit ndaj qytetarëve.
Kjo parti më ka formuar politikisht, por mbi të gjitha më ka mësuar se përballë çdo vështirësie duhen mbrojtur parimet dhe jo interesat personale.
Nuk kam kursyer as kohë, as zemër, as forcë për t’i shërbyer njerëzve që më besuan, edhe atyre që nuk më votuan, duke besuar fort që politika ka qenë gjithmonë përgjegjësi dhe përkushtim për të mirën e përbashkët.
Nuk kam bërë asnjë kompromis me ndërgjegjen dhe atë çka kam besuar. Gjatë këtyre viteve kam folur me zë të lartë për çështjet që na prekin, por edhe kam heshtur kur duhej të dëgjoja më shumë. Kam ngritur zërin për të pambrojturit, për gratë, të rinjtë, për ata që ndihen shpesh të harruar nga politika. Kam qenë aty, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Faleminderit Partisë Demokratike për besimin, faleminderit kolegëve për bashkëpunimin dhe faleminderit mbi të gjitha Ju, qytetarëve, për çdo fjalë mbështetjeje, për çdo kritikë që më ka bërë më objektive.
Do të jem gjithmonë aty ku kërkohet zëri i arsyes, forca e së vërtetës dhe bindja se fitorja e Partisë Demokratike duhet të ndodhë për të mirën e Shqipërisë tonë.