
TIRANË- Një incident ka ndodhur në orët e para të mëngjesin në Komisionin Hetimor parlamentar të Sterilizimit dhe Check-up. Ishte ora rreth 1:30 minuta pas mesnate kur deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa po kërkonte që ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj të rikthehej në burg pasi kishte kaluar afati i lejes për të. Por kërkesa po kundërshtohej nga maxhoranca. Pikërisht në këtë moment, në Komision hyri ish-ministri, i cili tha disa fjalë dhe bëri disa gjeste me duar. Për shkak se Beqaj ishte pa mikrofon, nuk dallohet se çfarë ka thënë, por opozita pretendon se Beqaj i kërcënoi. Kaq shërbeu që deputetët e PD-së ta konsideronin këtë ndodhi skandal dhe kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ndërpreu mbledhjen për t’i kërkuar Policisë së Burgjeve dhe Gardës së Republikës që ta rikthenin në qeli ish-ministrin.
MOMENTI ME VIDEO:
Ina Zhupa dhe Albana Vokshi njëzëri: Kush je ti mo? Kush je ti që hyn këtu? Kush je ti?
Ina Zhupa: E kupton se e keni kthyer këtë Komision ju, vjen Ilir Beqaj këtu dhe kërcënon?!
Albana Vokshi: Njoftoni Policinë e Burgjeve ta kthejë tani. Ne i kemi dhënë leje që në orën 12, po e mbajtët ju deri tani. Guxon ai të hyjë në atë mënyrë në sallën e mbledhjeve të Komisionit. Urgjent tani! Njoftoni Policinë Sekretaria mos më rrini. Sekretaria, mos më rrini pra tani, njoftoni. Joana çfarë po pret? Ke pret Joana (i drejtohet sekretares). Shkoni thojini tani urgjent, ta marrin, ta fusin në furgon dhe ta kthejnë.
Plarent Ndreca: Nuk bëhet kështu kjo.
Ina Zhupa: Bëhet bëhet, se nuk hyn ai atje të na kërcënojë ne çfarë do themi.
Albana Vokshi: Joana a mund të çohesh ti thuash atyre?
Eduart Spaho: Zonja kryetare, ndërprisni mbledhjen, shkoni thojini ju atij të policisë që ta marrë urgjent në burg dhe të kërkohet masë edhe për gangsterit avokat që hyri këtu si trim. Të merret masë edhe punonjësit e gardës që e kanë lejuar.
*Vokshi ndërpret mbledhjen dhe del të komunikojë me efektivët e policisë.
Albana Vokshi: I lajmërova vetë se Sekretaria nuk guxon! Si ka mundësi që një person që erdhi nga policia e burgjeve bredh i lirë në të gjitha ambientet, ka futur ujë, ka futur drunj dhe mjete të forta dhe është lejuar. Edhe në këtë orë (1.37 e mëngjesit) shkon ku të dojë, futet në këtë sallë i pautorizuar, lejohet nga policia dhe garda dhe kërcënon. Policia e burgut duhet të marrë masa. Garda duhet të marrë masa për atë djalin aty që e la të hynte. Tju vijë turp, të të vijë turp ty (i drejtohet Ilir Metajt), dhe kujdes se po e tepron. Ai mendon se është i lirë, por ka ca si ju këtu. Të futet Beqja dhe të kërcënojë deputetët e opozitës është skandal i skandaleve.
Ilir Metaj: Fol me respekt, fol me respekt. Se po e tepron...
Albana Vokshi: Unë respekt? Ça do bësh, po kërcënon?
Ilir Metaj: Ty s’kam çfarë të bëj…
Albana Vokshi: Çfarë kujtoni ju mo? Ik merrni një dajre në dorë dhe një fyell.
Ilir Metaj: Ti nuk je koshiente çfarë flet.
Ina Zhupa: Ju guxoni ta lini Beqjen të livadhisë dhe hyn këtu e kërcënon deputetët vetëm se s’ka kamera. Po ne kemi celularët zotëri.
Plarent Ndreca: Zonja kryetare e Komisionit mbledhjen nuk mund ta mbyllni ju.
Albana Vokshi: Mbledhja është e mbyllur.
Sot, Partia Demokratike ka bërë një denoncim zyrtar për atë që ndodhi.
DENONCIMI NË FACEBOOK I KRYETARES SË KOMISIONIT HETIMOR PËR KONÇESIONET NË SHËNDETËSI, ALBANA VOKSHI
SKANDALI NË PARLAMENT!!! Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Parlamentit në orët e para të mëngjesit! Ilir Beqaj, pas takimeve private me deputetët e PS, shëtit i lirë, hyn brutalisht në sallën ku po zhvillohej mbledhja e Komisionit Hetimor duke guxuar të kërcënojë deputetët e opozitës!!! As Policia dhe as Garda nuk veprojnë! Edhe pas këtij skandali, Policia e Burgjeve, refuzoi të largonte Ilir Beqen për ta kthyer në burg, edhe pas urdhërit nga Kryetarja e Komisionit. Në pritje të urdhërit të Plarent Ndrecës i cili tentoi të rifillonte mbledhjen e Komisionit. Praktikisht, Parlamenti ka rënë!!! Është në duart e atyre që i japin leje dhe garanci Ilir Beqes të fusë mjete të forta, hunj e drunj në Parlament, të shëtisë i lirë në çdo ambjent, e të kërcënojë deputetët e opozitës. E gjitha, që Edi Rama dhe Vilma Nushi të mos dëshmojnë para Komisionit Hetimor!! Opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas!! Do të bëjmë transparencë! Do të denoncojmë! As Rama e askush nuk do të gëzojë asnjë qindarkë të vjedhur nga paratë e shëndetësisë.
Por deri më tani, ende nuk ka asnjë reagim nga ana e Policisë së Burgjeve dhe as Gardës së Republikës. /ZËRI