
TIRANË-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndaluar ambasadorin Shqiptar në SHBA, Ervin Bushati të shkojë të hënën në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të Presidentit Trump. Ministria e Jashtme e ka deklaruar këtë aktivitet në sistemin e KQZ-së, sipas detyrimit që ka çdo institucion që nga 11 janari në 11 maj, në mënyrë që asnjë të mos i përdorë postet publike për avantazhe elektorale. Por KQZ e ka kategorizuar si të “ndaluar” këtë aktivitet të ambasadorit Bushati, sepse raportimi nuk është bërë përpara 5 ditëve siç e kërkon ligji, por vetëm 3 ditë para.



Në një njoftim të mëvonshëm gjatë së shtunës KQZ ka njoftuar se ndërfaqja e raportimeve të veprimtarive publike e ndalon automatikisht një veprimtari e cila raportohet në më pak se 5 ditë përpara datës së zhvillimit të saj. Kështu ka ndodhur me rastin e raportimit të disa veprimtarive të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Me vendim të Komisionerit, konsideruar rrethanën justifikuese të mos respektimit të afatit 5 ditor, veprimtaria është lejuar, ccka do të thotë se KQZ i ka dhënë dritën jeshile Bushatit të marr pjesë në inagurimin e Donald Trump.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi njoftoi më 6 janar se 4 muaj përpara zgjedhjeve ndalohet përdorimi i burimeve shtetërore në aktivitete që kanë ndikim elektoral. Zyrtarët ndalohen të promovojnë nga 11 janari në 11 maj, investime të kryera, në rrugë, rindërtim, energjetik dhe çdo sektor tjetër, duke shmangur kështu skenat e inaugurimeve para elektorale me prerje shiritash.
"Procesi i raportimit të të gjithë veprimtarive me karakter publik nga institucionet publike, qendrore dhe vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve është detyrim ligjor. KQZ Shqiperi ka përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor t’i mbikqyrë, raportojë dhe ndalojë ato. Të gjithë institucionet publike qendrore e vendore, që ushtrojnë veprimtari të karakterit publik si dhe KQZ e administrata e saj respektojnë të gjitha rregullat normuese që kanë të bëjnë me procesin e njoftimit të veprimtarive publike sipas afateve kohore të vendosura në Kodin Zgjedhor, dhe kryejnë të gjitha procedurat që lidhen me këtë detyrim ligjor, me përgjegjësi e në përputhje me legjislacionin përkatës,"-thuhej në njoftimin e bërë nga KQZ më 6 janar./ZËRI