
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një konferencë për shtyp këtë të enjte ku u ndal te rezoluta e miratuar në Kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE)-ja. Sipas kryedemokratit, rezoluta damkos kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Edi Rama si një armik të votës së lirë. Sipas Berishës, rezoluta dënon qeverisjen se po minon zgjedhjet.
"Kjo rezolutë, e cila u miratua, pa asnjë votë kundër, në unanimitet të plotë, damkos në mënyrë përfundimtare Edi Ramën si armik i votës së lirë në kontinentin europian, e rreshton atë krahas Lukashenkos dhe ndonjë diktatori tjetër,”- tha Berisha.
Pasi përfundoi fjalën e tij për rezolutën e PPE-së, kreu i opozitës, Sali Berisha foli sërish edhe për kontratën e lobimit 6 mln dollarë me kompaninë amerikane, e cila u bë publike vetëm pak ditë më parë. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se kontrata ishte një "dhuratë" për Partinë Demokratike, dhe se nuk e kishin njoftuar vetë pasi nuk ishte një kontratë e lidhur nga opozita, por nga përfaqësues të diasporës në Amerikë. Berisha shtoi se PD nuk është partner kontraktual i kontratës së lobimit, por vetëm kanë pranuar shërbimin. Sipas tij, PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë për kontratën, por është komuniteti shqiptaro amerikan që po e paguan, ndaj edhe nuk ka asnjë kundërshtim me Kodin Zgjedhor në Shqipëri.
"Kontrata është publikuar plotësisht. Kontrata është për qëllime, për kauzat e drejta të PD. Pra në tërësi për marrëdhëniet mes PD, Shqipërisë dhe SHBA. Pasi në fakt kjo kontratë nuk është vetëm për PD, është për çdo shqiptar. Të siguroj se McGonigali do e marrë me vete Ramën. Nuk ka, do e marrë. Rama kudo që shkon është kryeministri që ka dhënë ryshfet 250 mijë euro për të korruptuar opozitën. E ka fajin në kurriz Rama. Rama është njeri që udhëton me thesin e fajit në kurriz.Nuk e bëmë publike ne si kontratë sepse nuk ishte PD, ishte fondacioni. Zoti Noka ka firmosur që pranon shërbimin. Po jo palë kontraktuese. Në rast se në rastin me zotin Chris LaCivita ne jemi palë kontraktuese si PD, në rastin tjetër, palë kontraktuese është fondacioni i patriotëve dhe demokratëve shqiptarë. Ne nuk mund t’i zëvendësojmë ata. Kjo është shumë e thjeshtë. Ne nuk mohojmë qe ne kemi pranuar dhe kemi firmosur të pranojmë shërbimin, por nuk jemi ne palë kontraktuese. Besoj se është e qartë. Këtu nuk është e vërtetë. PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë, është një fondacion që jep paratë. Por një gjë, edhe sikur PD t’i ketë dhënë nga arka e vet, për kauzën ia vlen çdo qindarkë. Kauzat e opozitës së vërtetë janë të njëjta. PD dhe ASHM kanë të njëjtat kauza. Kjo është e tëra. Dmth ky koalicion është dakord se Shqipëria është një narkoshtet, se Edi Rama është një narkodiktator. Se Edi Rama ka vënë në kontroll të plotë drejtësinë. E pe ti si reaguan ata apo jo. E pe. Sigurisht do të ketë transparencë. Çfarë thotë PPE? Thotë për pandëshkueshmërinë sepse dosjet 184, 339, janë tabelë turpi në qafën e tyre që i mbajnë, shkruhet turp për ata që i mbajnë. Gjërat po konfluojnë njëra me tjetrën në të dy anët e Atlantikut. Ka një sintoni. Çdo njeri që njeh ligjin amerikan dhe e di që kontrata publikohet në FARA, atë e merr çdo njeri, nuk ka gjë për të fshehur këtu fare. Por kontrata është mes avokatit të famshëm dhe fondacionit ‘Make Albania Great Again’. Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, fare! Ka një nen, 21 i ligjit të Pative Politike, nen që autorizon partitë që të marrin ndihma, mbështetje financiare, nga forcat e tjera politike, organizata ndërkombëtare politike dhe fondacione. Pra kontrata është 100% e bazuar në ligj. Ndaj s’mund të flasësh as për 6 milionë as për 200 apo 600 mijë. Sipas Berishës, PPE-të denoncuan dhe dënuan përdorimin e pushtetit të qeverisë së Ramës në procesin zgjedhor, kapjen e institucioneve dhe të drejtësisë. Kontrata varet sipas kërkesave të palëve, objektivave të palëev, ndaj një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk është jetim, kauzat do mbrohen nga një avokat që do mbrojë kauzën opozitare"-tha ndër të tjera në fjalën e tij Berisha.
Ndërsa shtoi se nga kontrata me kompaninë amerikane, Partia Demokratike ka për synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar dhe jo çështjen e shpalljes së tij "non grata" nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Po ashtu, shtoi se edhe Chris LaCivita është kontraktuar vetëm si këshilltar për zgjedhjet dhe jo për të lobuar në institucionet amerikane për sanksionet ndaj Berishës.