
DURRËS- Këshilltarët Bashkiakë të Partisë së Lirisë kanë bashkuar votat me Partinë Socialiste për ndërtimin e kompleksit turistik "Lura 5". Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Durrësit para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ka ndodhur një lëvizje e papritur. Këshilltarët e PL-së kanë ngritur kartonët jeshilë, njëjtë si socialistët. Teksa diskutohej ndryshimi i kategorisë së një sipërfaqeje pyjore në Gjirin e Lalzit për ndërtimin e kompleksit turistik “Lura 5”, duket se vetëm të zgjedhurit e Partisë Demokratike ishin kundër. Ata kundërshtuan betonizimin e vijës bregdetare, e majta argumentoi se projekti do të sjellë zhvillim turistik dhe vende punë.
"Natyrisht unë jam për zhvillimin duke pasur parasysh që e gjithë zona e Gjirit të Lalëzit është një zonë që ka marrë një karakter të theksuar turistik. Jemi për shërbimin, por turistët do të duan të shohin edhe gjelbërim,"-tha në fjalën e tij Ardian Muka, këshilltar i PD-së.
Pavarësisht diskutimeve, 3 këshilltarë të PD-së votuan kundër, ndërsa PS dhe Partia e Lirisë bashkuan votat duke miratuar projektvendimin me 31 vota pro. Kjo lëvizje është e papritur, edhe për shkak se aktualisht PL dhe PD janë në një koalicion. Të dyja forcat politike, bashkë me shumë të tjera kanë formuar koalicionin "PD-Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore", ndërsa shumë kandidatë për deputetë të Partisë së Lirisë, janë futur në listat e sigurta të demokratëve. Ndaj edhe lëvizja e fundit duke e paqartë, pasi nuk ka asnjë sqarim nga Partia e Lirisë për qëndrimin e mbajtur kundër aleatëve të saj./ZËRI