
TIRANË-Në seancën plenare në Kuvend po diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, u shpreh kundër propozimit të opozitës që shqiptarët e Diasporës të votojnë me dokumente identifikimi të vendeve ku jetojnë.
Blendi Klosi: Kërkojnë që çdokush që ka një telefon, të regjistrojë sa herë të dojë. Kjo do ta hedhë në erë sistemin. Nuk ka negociatë për këtë. Kush ka celular, për 2 minuta del gjurmë ID dhe të japin çdo të dhëë si është forma e një karte belge. Mund të prodhohen aq shumë dokumente, sa mund të hedhin sistemin në erë. Nuk mund të identifikohet dot. Prandaj po e them, nëse do të paraqitet me ndonjë dokument anglez, kanadez etj, nuk mund të verifikohen dot. Është një hile, nuk është një dëshirë për të prodhuar më shumë shqiptarët. Hile nga ai i katit të tetë (Berishës). Kërkojnë të ndërtojnë një mekanizëm që manipulohet kaq thjeshtë. Kjo është një hile aq e vjetër sa lideri i tyre.
Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në Kuvend akuzoi mazhorancën se janë ata që kanë larguar shqiptarët në Diasporë dhe po i detyrojnë të votojnë për ta.
Jorida Tabaku: Kemi dëgjuar për presione të papara ndaj shqiptarëve të Diasporës. I keni detyruar të largohen nga vendi, tani doni t’i detyroni të votojnë për ju. Kemi parë raste të emigrantëve që janë fotografuar në takimet tona dhe fotot i kanë sjellë këtu si presion ndaj familjarëve të tyre. Arrestimi i 10 shkurtit (Veliajt) është pikë kthese. Shqiptarët po shohin të vërtetën e një sistemi të kalbur. Kemi parë vetëm majën e ajsbergut, nuk janë akuzat e ngritura vetëm për një kryetar bashkie por të një skeme të organizuar që zhvasnin paratë e shtetit. Është skemë që ka kapur të gjithë vendin. Kjo është ajo që bëri Ahmetaj dhe Ilir Beqaj. Ky është fillimi i shembjes së një kulture kriminale që për 12 vite ka vjedhur. Arrestimi i Veliajt nuk shënon fundin e korrupsionin, por tregon se korrupsioni ka hyrë në cdo vend.