
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” të caktuar nga Apeli i GJKKO. Në dalje të ambjenteve të SPAK, Berisha ka mbajtur një deklaratë për mediat ku fillimisht lexoi një letër për prokurorin Altin Dumani.
Sali Berisha: Pasi u paraqita, i lashë Altin Lalës letrën që vijon: Kreut të kësaj organizate kriminale, Altin Dumani, që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitës të monstrës Xhorxh Soros dhe kukullës së tij në Tiranë. Por kjo politikë dështoi në SHBA dhe të njëjtin fat do ketë në Shqipëri. Firmosur, Sali Berisha. Kjo është kopja!
Gjatë fjalës së tij kreu i PD ka hedhur akuza të rënda ndaj ministrit Taulant Balla, për të cilin ka deklaruar se del në përgjime të disa bandave kriminale. Berisha ka akuzuar 6 prokurorë të SPAK-ut që sipas tij kanë lidhje me Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Ballën. Ish-kryeministri theksoi se SPAK i ka në dorë këto regjistrime, por nuk vepron, teksa ka lexuar një pjesë nga ato që ai pretendon se janë përgjime të Ballës.
Sali Berisha: Tani kam sjellë këtu për ju, për gazetarët, një copëz, një dëshmi tjetër të krimeve të tij të shëmtuara, Më datën 13.04.2020, Targeti, e kuptoni vetë që ky është kodi, informoi pinin 1FA806 se Tao ka thënë se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët. E kuptoni ju, pra Tao pasi mori përsipër arrestimin me prokurorë dhe gjykatës, pasi me Alfred Shehër dhe Pajtime Fatahë, Enkelejda Fetahu dhe të tjerë, tani Tao merr përsipër të pastrojë komisariatin me kërkesë të bandës. Tani Boerët janë ose policë të ndershëm që luftojnë krimin ose janë mbështetës të bandës tjetër, njëra nga këto. Pra, informon pinin Tao se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhurit me Boerët. Boerët, po të nisemi me veprimet e tyre, i bie të jenë banda rivale ose mund të jenë policë të ndershëm që nuk i nënshtrohen bashkëpunimin me bandat dhe bëjnë detyrat. Por kjo është një dëshmi tjetër e asaj që unë akuzoj këta prokurorë të Skapit, një pjesë të tyre si anëtarë të organizatës kriminale që flenë mbi dosjet e krimit. E vërteta është se 4 muaj më parë, Taulant Balla ishte për t’u arrestuar, se këto janë vetëm disa. Por Taulant Balla u mbrojt nga Edi Rama dhe ai vazhdon shëtit si simbol i krimit nga një sallë në një tjetër, kur mbi të rëndojnë të gjitha llojet e krimeve. Taulant Balla është personi me pushtet që del më shumë se të gjithë të tjerët në veprimtaritë e bandave. Del në dhjetëra regjistrime te banda e tij dhe banda të tjera. Nuk po i përsëris akuzat që i kam bërë që kalonte drogë me pasaportë diplomatike në doganë, apo që shoferi kapej… por po nxjerr ato dokumente që janë në dorë të drejtësisë dhe drejtësia nuk vepron. Nuk do të kursej asnjërin, por deri tani të jem i sinqertë nuk kam asnjë ministër tjetër që del sa ky.
Gjatë fjalës së tij Berisha komentoi sërish protestën e mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj para GJKKO. Berisha është shprehur se protesta e kryer për arrestimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj është një grusht shteti brenda shtetit. Kreu i PD tha se garanton Edi Ramën dhe Erion Veliajn se ky krim do t’ju regjistrohet dhe do të ndëshkohen në mënyrë shembullore.
Sali Berisha: Aktit puçist banditesk të narkoqeverisë dhe narkobashkisë Rama të cilët morrin peng për orë të tëra gjykatës dhe prokurorë të çështjes Velija. Rikthyen në Tiranë skenat e viteve 80 kur Escobar sulmoi gjykatën dhe aty pati viktima të tërra. Pas 40 e sa vitesh ‘Ediskobar’ kreu të njëjtin akt ndaj gjykatës dhe prokurorisë. Në historinë e botës ka vetëm dy raste, rastin Eskobar dhe Ediskobar. Në historinë e botës ka qindra protesta opozitare para gjykatave në çdo kryeqytet, por protestë shtetërore ajo përbën një grusht shteti brenda shtetit. Garantoj Edi Ramën dhe Veliajn se ky krim do t’ju regjistrohet dhe do të ndëshkohen në mënyrë shembullore që mos tju shkojë mendja kurrë të sulmojnë pushtetin tjetër. Miqtë e mi, unë e kuptoj se çështja kryesore sot është çështja e Lali Vjedhësit apo Erion Faqeziut. Po bëhet gjithçka nga propaganda qeveritare për ta katandisur çështjen tek të brendshmet dhe të jashtmet e “Jolkës”. Kjo është një mashtrim i madh që u serviret shqiptarëve. Unë u them dhe njëherë këtu se gardëroba e Ajolës, e barabartë me të Lajla Asadit… Lajla Asadi kur zbriti nga avioni, dogana e Moskës i numëroi të gjithë garderobën dhe nxori 1 milion garderobë që ajo kishte marrë me vete. Pra, 1 milion gardëroba e Ajolës është e ndërtuar e tëra me vjedhjen e tmerrshme të taksave të qytetarëve të Tiranës. Erion Veliaj, çfarë do të fshehë propaganda e qeverisë? Propaganda e qeverisë do të fshehë dhjetëra kompani të krijuara nga familjarët e Ajolës dhe Erionit. Ai vëllai i tij si u zhduk? U bë i penduar? A e keni parë se nuk përmendet më vëllai i Erion Veliajt? Ku është zhdukur ai? Po të jetë bërë i penduar ai, është punë tjetër, nuk ndërhyj. Pra me dhjetëra kompani, BYLI, Eventi, Muza, Shizi, çfarë emrash që nuk mund t’i imagjinoni, që të gjitha vinin, merrnin paratë për Ajolën dhe Erionin në Bashkinë e Tiranës, në drejtorinë e qeverisë, në Ministrinë e Kulturës.
Berisha është pyetur dhe në lidhje me fatin e SPAK-ut nëse ai do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 11 Majit. Teksa e ka quajtur “institucion që është jashtë çdo kontrolli”, Berisha ka thënë se SPAK duhet të shuhet me çdo kusht.
Sali Berisha: Të njëjtin fat me bandat do të ketë, ky institucion nuk do të ekzistojë. Një institucion që është jashtë çdo kontrolli, është një institucion për t’u shuar me çdo kusht. Ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit. Ju duhet ta denonconi këtë në mënyrë më të fuqishme.
Berisha u prit jashtë godinës nga mbështetetës dhe simpatizantë të tij, tubim i cili u kërkua një ditë më parë nga strukturat e PD.
“Të dashur miq. Nesër diten e hënë në ora 9:30 sërish Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP-it! Ju lutem te mobilizojme strukturat e degeve për të qenë të gjithë aty. Në ora 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit!”, thuhet në mesazhin drejtuar strukturave të PD.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja. Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv./ZËRI