Politikë

Kaosi zhvendoset tek Këshilli Bashkiak/ Opozita i bie tavolinave, Veliaj: Nuk ua jap dot unë zgjidhjen!

Sapo kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nisi të mbante fjalën, këshilltarët e opozitës përplasnin duart mbi tavolinë duke mos e lënë të fliste.

k.m.
Kaosi zhvendoset tek Këshilli Bashkiak/ Opozita i bie tavolinave, Veliaj:
Pamje nga mbledhja

TIRANË- "Mosbindja" e opozitës është zhvendosur sot tek mbledhja e Këshillit Bashkiak. Sapo kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nisi të mbante fjalën, këshilltarët e opozitës përplasnin duart mbi tavolinë duke mos e lënë të fliste. Edhe pse me zhurmë, Veliaj ka marrë fjalën dhe i ka kujtuar protestën e djeshme. Por gjithashtu nuk i ka kursyer as dozat e ironisë ndaj aksionit të opozitës.

MOMENTI I PËRPLASJES:

Veliaj: Kjo është kriza juaj! Ju e kërkoni tek unë, por nuk ua jap dot unë. Qeveria teknike krijohet kur ka kriza maxhoranca, jo kur ka krizë opozita. Nuk e bllokoni dot qytetin. E bllokuar dje, çerek orë zgjati. Bjerini me kokë, bjerini me dorë, bjerini me ça të doni ju. Doni të bllokoni kurset tek Piramida, shtëpitë me qera. S'keni argument. Profesor mos e fëlliq veten më shumë se kaq. E di që jeni më të mirë se kaq. Ta mbaroj fjalën, të jap lajmet e mira për qytetarët, ndoshta ka ndonjë lajm të mirë edhe për ju. Do humbni prapë dhe do thoni si humbëm?

Por zhurma vazhdoi, e në këto kushte, Veliaj la mbledhjen duke mbyllur takimin e sotëm në selinë e Bashkisë së Tiranës. 

Dje, opozita protestoi për më pak se 4 orë në rrugët e Tiranës. Nga molotovët e hedhur nga protestuesit u dogj Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli. Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./ZËRI

Poll

MOS HUMB