Politikë

600 kamera inteligjente në 20 shkolla, Rama: 'Smart City', përgjigje ndaj vrasjes së Martin Canit

Kreu i qeverisë u shpreh se një shtet nuk matet me çdo gjë që ndodh, por me mënyrën se si reagon. 

F.I
600 kamera inteligjente në 20 shkolla, Rama: 'Smart City',
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ndodhej sot në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, ku u njoftua se 20 shkollat më të frekuentuara në Tiranë janë pajisur me 600 kamera inteligjente në kuadër të projektit Smart City. Rama gjatë fjalës së tij deklaroi se instalimi i kamerave inteligjente në 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është përgjigjja ndaj vrasjes tragjike të Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli”. Kreu i qeverisë u shpreh se një shtet nuk matet me çdo gjë që ndodh, por me mënyrën se si reagon. Rama deklaroi se Smart City krijon siguri në shkolla.

Edi Rama: Të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës “Fan Noli”, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë me versione të ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të spekulimeve, akuzave, sajesave e fabrikimeve, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo vetëm familjarët, por edhe gjithë opinionin publik, unë nuk e kam harruar, siç e harruan të gjithë ata që abuzuan deri në fund me atë tragjedi. E kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt, që është përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.

Një shtet nuk matet me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara, me sistemet më të sofistikuara administrative, ka raste kur ndodhin ngjarje që trondisin mbarë opinionin publik. Por një shtet matet me mënyrën se si reagon. Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili, edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme, do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët potencialisht mund të jenë një ditë të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, pikërisht sepse ky reagim do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik, që do të harmonizojë përpjekjet e institucioneve me aftësitë e inteligjencës artificiale.

Poll

MOS HUMB