Politikë

Vijon debati brenda PS/ 'Tokat për parqe fotovoltaike' Braçe përplaset me ministrin: Duhet për bujqësi, jo për industri

Salla, deklaroi se ndryshimet synojnë modernizimin e sektorit bujqësor dhe përdorimin e teknologjive të reja, pa cenuar funksionin kryesor të tokës bujqësore, që sipas tij mbetet prodhimi.

F.I
Vijon debati brenda PS/ 'Tokat për parqe fotovoltaike'
Andis Salla dhe Erion Braçe

TIRANË-Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore" kanë ndezur debat në Kuvend, ku edhe deputeti Erion Braçe ka dalë kundër. Ligji u miratua me debate mes kryetarit të komisionit, Ulsi Manja dhe deputetit të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Teksa po diskutohej në Kuvend, Braçe ngriti shqetësime për përdorimin e tokave bujqësore për parqe fotovoltaike dhe eolike.

Deputeti socialist kërkoi që kufijtë për zhvillimin e këtyre projekteve të përcaktohen qartë në ligj dhe të mos lihen në dorë të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Sipas tij tokat duhet të jenë në përdorim për bujqësi dhe jo industri. Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se ndryshimet synojnë modernizimin e sektorit bujqësor dhe përdorimin e teknologjive të reja, pa cenuar funksionin kryesor të tokës bujqësore, që sipas tij mbetet prodhimi.

Erion Braçe: Mbase nuk është Ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ishte ai i Energjitikës, por pyetja është sa licenca janë dhënë për parqe eolike në toka bujqësore deri më tani? E dyta, po për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore deri më tani? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 deri në 10 deri më tani?

Andis Salla: Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për ta përshtatur për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Plotëson kuadrin bujqësor për të vënë në përdorim disa teknologji, që ndihmojnë për përdorimin më të mirë të ujit dhe disa lëndëve ushqyese dhe burimesh natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqesh, por të kemi sa më shumë produktivitet. Nuk cënohet në asnjë moment funksioni i tokës bujqësore.

Gjatë prezantimit në mbledhjen e Komisionit të zhvilluar më 14 korrik zëvendësministri Fatmir Guri tha se në fermat “Agrifotovoltaike”, do të ketë edhe depozitim energjie me argumentin se do të rritet prodhimi bujqësor e blegtoral, dhe se kushtet për licencimin e këtyre fermave do të caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Këto ndryshime u shoqëruan me kundërshtime nga opozita por edhe mazhoranca. Deputeti I Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri votoi kundër nenit 1 të projektligjit. 

Poll

MOS HUMB