
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto dhe deputetët Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili kanë shkuar tek "313" për të takuar presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Por edhe pse shkuan në ambientet e "313", sërish nuk kanë mundur që të bëjnë takimin me kreun e Partisë së Lirisë. Para mediave, deputeti Vasili tha se kishin dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për takimin me Metën, por pa asnjë arsye, kërkesat e tyre u refuzuan.
"Penguan takimin tonë të lajmëruar dhe të kërkuar zyrtarisht me gjithë dokumentat përkatës. Jemi futur në oborr dhe kemi pritur më shumë se 1 orë për të na njoftuar se nuk mund të bënim takimin. Siç e shikoni farsa e kryeministrit shumë të shqetësuar për standatet demokratike, kërkuam takim dhe u penguam. Kemi që në orën 9.30 që presim refuzimin e tyre. U ka shpërthyer paniku dhe nuk kanë se ku ta shprehin sepse takimi është e drejtë bazike. Refuzimi i sotëm i të drejtës së dy deputetëve u dhunua në mënyrën më të shëmtuar pa dhënë asnjë motiv,"-tha në fjalën e tij Petrit Vasili.
PAMJE NGA MOMENTI:
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Edhe pse ka kërkuar disa herë një masë më të butë sigurie, me arsyetimin se kërkon të jetë pjesë e fushatës zgjedhore, kërkesat e tij janë rrëzuar nga GJKKO./ZËRI