
TIRANË-Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka njoftuar se mbi 160 mijë emigrantë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka bërë thirrje që emigrantët të regjistrohen dhe të dërgojnë kërkesën për të qenë votues brenda afatit të fundit, që është 4 marsi. Për ata që janë refuzuar, Celibashi ka sqaruar se mund të riaplikojnë pa kufizim.
POSTIMI:
Më shumë se 160.000 Zgjedhës Shqiptarë Jashtë Vendit Të Regjistruar në PER Që Nga Data 11 Janar 2025!
Apliko në PER tani dhe deri më 4 MARS 2025!
Shpërndaje Njoftimin - Zgjedhësit nga jashtë të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim në PER, kanë të drejtë të riaplikojnë pa kufizim deri në datën 4 mars 2025. Përpara se të riaplikoni DUHET të:
1. Lexoni me kujdes arsyen e refuzimit të kërkesës, të cilën e gjeni në llogarinë tuaj në PER.
2. Klikoni linkun që është në përmbajtjen e mesazhit të dërguar nga KQZ në telefonin tuaj apo në adresën e-mail. Nëpërmjet këtij linku do të merrni ndihmë direkt nga KQZ.
Emigrantët që duan të jenë pjesë e votës së diasporës, për t'u regjistruar duhet të futen në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj.
Ndërkohë një ditë më parë Komisioni Rregullator ka miratuar disa ndryshime në dokumentet që iu kërkohet shqiptarëve të diasporës gjatë procesit së regjistrimit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjatë mbledhjes Komisioni vlerësoi se procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë ka vijuar me intensitet të lartë, por emigrantët janë hasur me probleme gjatë regjistrimit. Me ndryshimet e reja, emigrantët shqiptarë për t’u regjistruar mund të përdorin si provë adrese në PER, dokumentin provues në emër të një familjari të tyre ose të dikujt tjetër pa lidhje familjare mes tyre./ZËRI