VLORË-Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha ka dhënë dorëheqjen mbrëmjen e sotme. Ende nuk dihet arsyeja e largimit të tij, ndërsa muajt e verës qyteti bregdetar është përballuar me disa problematika nga zjarret tek mungesa e ujit.
Dredha nuk u ka shpëtuar as kritikave të kryeministrit Edi Rama, ku gjatë një takimi të zhvilluar në korrik me kryetarët e bashkive në qytetin e Durrësit, ai ngriti shqetësime për ndërtimet pa leje në zonat bregdetare dhe për financimin e një televizioni lokal me fonde publike, duke shtuar se kjo nuk justifikohet nga asnjë arsye e vlefshme administrative. Rama u shpreh se para shkeljeve,kryetari i bashkisë dhe strukturat atje i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur.
"Një nga gjerat që vihet re është edhe nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë e paravendosur të veprimtarisë ve vet, në formën e daljes përtej tyre dhe zaptimi të territor ashtu edhe të ndërtimeve pa leje, në territore ku vëmendje është më e vogël, apo si në Vlorë, ku kryetari i bashkisë dhe strukturat atje i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur. Bashkia e Vlorës financon me dhjetëra mijë euro një televizion privat, për nuk e di se çfarë, besoj se ka një arsyetim filozofik, por nuk mund të vazhdojë kështu. Në majën e Pilurit, që duhet zemër të ngjitesh, atje e gjetën njërin duke ndërtuar. Poshtë në breg ku ndërtohen resortet, merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti sikur është lumi i Lanës. Nuk kemi 4000 metra bregdet që të kemi luksin që të ndërtohet dhe të abuzohet më shumë se në të shkuarën. Nëse angazhojmë arkitektët më të mirë dhe angazhojmë strukturat më të mira në çdo bashki, mund të bëhet një punë shumë e mirë. Ishte atje ndërtesa 500 metra në shkëmb, mbi kokën e Ermal Dredhës, kjo nuk është e mundur të mos ketë informacion. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti mbi lejen e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje duhet të jenë pjesë e punës së përditshme të policisë, të bashkisë. Nëse një kryetar bashkie do të dijë se çfarë ndërtohet, e mëson menjëherë,"-u shpreh Rama asakohe.
