TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka replikuar sërish me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, pas reagimit të tij ndaj protestave kundër projektit turistik në Zvërnec.
Ministri iranian kishte publikuar në rrjetet sociale një mesazh ku përdorte pankartat e protestuesve shqiptarë dhe i drejtohej drejtpërdrejt Ramës, duke i thënë se ishte vetë ai që e nisi këtë.
Në postim, Baqaei publikoi pankarta në shqip, ku shkruhej: "Jo korrupsionit", "Duam drejtësi", "Rama ik".
Reagimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei
Qetësohuni, zoti Kryeministër
Ishit JU, zotëri, ai që e nisi këtë. Prandaj... duhet të përballeni me pasojat!
Do të ishte më e mençur të tregoni pak më shumë respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj, një komb me kulturë të pasur dhe histori krenare. Ata janë mjaftueshëm të mençur për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta.
Nëse vendosni të shisni sovranitetin kombëtar të vendit tuaj, kjo është zgjedhja juaj. Nuk na detyroheni të na jepni shpjegime. Por kur përballeni me zemërimin dhe kritikat e publikut tuaj, ju lutem mos përdorni të tjerët si kokë turku për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Në vend që të shkruani një pamflet të gjatë, të mbushur me akuza të konsumuara dhe të pabazuara kundër Iranit, ndaluni për një moment dhe dëgjoni zërin e qytetarëve tuaj që po protestojnë në rrugë:
"Jo korrupsionit!"
"Duam drejtësi!"
"Rama ik!"
Nuk ka vonuar reagimi i Ramës, i cili i thekson se Shqipëria nuk bie në kurthe të tilla dhe i kujton Iranit, se vendi ynë nuk merr leksione nga një qeveri që kryen sulme kibernetike.
Sa i përket protestave, kreu i qeverisë shqiptare i përgjigjet me krahasim, duke theksuar se në Tiranë qytetarët protestojnë lirisht, ndërsa në Teheran protestuesit vriten, burgosen, shtypen.
Rama shton më tej se përpjekjet për të ndikuar opinionin publik përmes rrjeteve sociale, “profileve të rreme dhe dezinformimit”, nuk do të kenë efekt në shoqërinë shqiptare.
Reagimi i Edi Ramës
Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!
Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysëm të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha!
Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë, duke na dënuar me qëndrimin në kategorinë e dytë për kushedi sa vjet të tjera…
***
Oh, të dashur, ju vërtet nuk keni turp!
Gjithsesi, ju falënderojmë për shqetësimin që tregoni për inteligjencën e popullit shqiptar.
Do të ishte shumë më bindëse nëse kjo do të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk i godet sistematikisht qytetarët e vet me censurë, frikësim, ndërprerje të internetit dhe shtypje të mendimit ndryshe.
Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, agjentët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike ndaj shërbimeve publike dhe institucioneve shqiptare, çka çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.
Ju citoni protestues shqiptarë që thërrasin në rrugë. Shumë mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin, të kërkojnë drejtësi dhe të bëjnë thirrje për zgjedhje pa pasur frikë nga burgosja.
A mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit në emër të të cilëve pretendoni se flisni?
Dhe është veçanërisht domethënëse që ju keni zbuluar papritur një shqetësim kaq të thellë për protestuesit në Tiranë, ndërkohë që gjaku i dhjetëra mijëra qytetarëve tuaj rëndon mbi ndërgjegjen e regjimit tuaj, ndërsa të panumërt të tjerë vazhdojnë të vuajnë përndjekjen, shtypjen dhe burgosjen, dhe ndërsa dhjetëra miliona njerëz mbeten të bllokuar në kushte që i përkasin më shumë Mesjetës sesa shekullit të njëzetenjëtë.
Populli shqiptar është vërtet mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë arsye ai e dallon ndryshimin mes një argumenti demokratik dhe propagandës.
Bot-et tuaja, profilet tuaja të rreme dhe videot tuaja “deepfake” mund t’i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm digjital edhe helmin e regjimit tuaj urrejtës, por nuk do të arrijnë askund, sepse pavarësisht dallimeve që mund të kemi mes nesh si shqiptarë, ne jemi të gjithë të qartë dhe të bashkuar në bindjen se çdo lloj regjimi që i mban qytetarët e vet në errësirë dhe varfëri është armik i mënyrës sonë të jetesës, i maskuar si shqetësim.
Dhe regjimi juaj është më i keqi nga të gjithë: një shtet terrorist, sipas vetë përkufizimit.
Kjo nuk është replika e parë mes dy qeverive. Gjithçka nisi, pasi Rama kishte deklaruar më herët se Irani mund të jetë i përfshirë në një “luftë hibride” ndaj Shqipërisë. Sipas Ramës, iranianët po ushqejnë narrativën se bëhet fjalë për marrëveshje të fshehta mes kryeministrit, Benjamin Netanyahut dhe Kushnerit për të vendosur palestinezët në Zvërnec.
Çfarë deklaroi Rama?
"S’ka asgjë për të diskutuar sepse s’ka asnjë projekt të miratuar. Së pari duhet të kemi një projekt, ta diskutojmë dhe miratojmë. Por s’mund të diskutojmë një projekt. Faktet kanë gjithnjë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që s’ka projekt. Arkitektët duan të bëjnë diçka unike dhe një dhuratë të mrekullueshme për Shqipërinë. Atje nuk është çështje mjedisore, është lufte hibride. Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjetra të përfshirë në sulme. Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. Keni parë video false nga Tirana… S’ka asgjë për të diskutuar, sepse s’ka asnjë projekt të miratuar.", tha Rama gjatë mbërritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor./ZËRI
