Politikë

Integrimi! Kryenegociatorja Dhuka: 101 kushte nga Bashkimi Europian për Shqipërinë

Kryenegociatorja deklaroi se fokusi kryesor do të jetë transformimi digjital, politika industriale, mbështetja për sipërmarrjen, arsimi dhe formimi profesional, kërkimi shkencor dhe inovacioni, punësimi dhe politika sociale.

F.I
Integrimi! Kryenegociatorja Dhuka: 101 kushte nga Bashkimi Europian për
Majlinda Dhuka

TIRANË-Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, kryenegociatorja e vendit për integrimin europian, Majlinda Dhuka po paraqet një bilanc të këtij procesi për vitin 2025 dhe 4 muajt e parë të 2026-ës. Dhuka renditi një sërë detyrash të caktuara nga BE për anëtarësimin, ku u shpreh se janë 101 kushte në rreth 600 nisma europiane.

Kryenegociatorja deklaroi se fokusi kryesor do të jetë transformimi digjital, politika industriale, mbështetja për sipërmarrjen, arsimi dhe formimi profesional, kërkimi shkencor dhe inovacioni, punësimi dhe politika sociale. Në 10 prej grupkapitujve, kryenegociatorja nënvizoi se ka përfunduar puna (teknikisht) në 3 prej tyre dhe vijon puna për 7 të tjerë. Në vijim, Kuvendit do t’i paraqiten për shqyrtim 8 paketa ligjore.

Kryenegociatorja e vendit për integrimin europian, Majlinda Dhuka: Gjatë vitit 2025 kemi punuar për bazën organizative të punës për mbylljen e negociatave, krahas çeljes së negociatave që u krye për 6 grup-kapitujt. Për këtë arsye janë hartuar 31 draft plane pune, ku janë zbëthyer këto 101 linja veprimi ose kushte në rreth 600 nisma europiane, nga të cilat një pjesë e mirë janë të natyrës ligjore. 

Tregu i brendshëm, negociatat që u çelën në prill 2025. Kjo është një etapë strategjike dhe në këtë grup-kapitull Shqipëria ka marrë 29 kushte për mbylljen e negociatave. Kanë të bëjnë me disa drejtime kryesore, siç është standardizimi dhe mbikëqyrja e tregut, kontrolli i ndihmës shtetërore, politika e konkurrencës, qeverisja e korporatave dhe mbrojtja e konsumatorit. E rëndësishme është rritja e sigurisë juridike në treg.

Grupi i dytë është konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, i dyti për të cilin negociatat u hapën, më 22 maj 2025. Ka 19 piketa mbyllëse. Objektiv kryesor është ndërtimi i modelit social europian. Thënë më thjesht mirëqenia e qytetarëve shqiptarë. Fokusi kryesor do të jetë transformimi digjital, politika industriale, mbështetja për sipërmarrjen, arsimi dhe formimi profesional, kërkimi shkencor dhe inovacioni, punësimi dhe politika sociale.

Grupi tjetër, agjenda e gjelbër, që u çel në shtator 2025. Shqipëria ka marrë këtu 22 piketa, fokusi kryesor do të jetë në politikën e mjedisit, tranzicionin energjitik, transportin, ndryshimet klimatike. Bujqësia, këtu Shqipëria ka marrë 18 kushte për mbylljen e negociatave. Fokusi kryesor do të jetë politika bujqësore dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, një nga fushat standardet e të cilit përbëjnë një sfidë të madhe. Menaxhimi i burimeve natyrore, peshkimi dhe politika e zhvillimit të rajoneve shqiptare. Kjo do të kërkojë modernizimin e sistemeve agro-ushqimore, edhe investime më të mëdha.

Shqipërisë iu çelën negociatat për anëtarësim më 24 mars 2020.

Poll

MOS HUMB