
TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme ka hequr masën e sekuestrimit për vilën e Fatime Kryemadhit, nënës së Monika Kryemadhit. Por ndryshe nga e ëma, vila e deputetës është lënë në sekuestro. Megjithatë, Kryemadhi kërkon që t'i hiqet masa edhe nga banesa e saj duke paralajmëruar se do të bëjë një rekurs të vendimit. Vendimi i gjykatës u shpall sot gjatë seancës së zhvilluar në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa pas gjyqit, depuetetja e Partisë së Lirisë tha se kjo është një betejë ligjore që do durim. Më tej, ajo shtoi se do të presë zbardhjen e vendimit për Sali Berishën në Kushtetuese, për të bërë rekursin për masën “detyrim paraqitje” në Gjykatën e Lartë.
“E di shumë mirë që akoma nuk ka një zgjidhje është e gjitha një hakmarrje për inceneratorin e Tiranës. Është një betejë ligjore që do durim. Të dyja nga banesat si e imja si e mamasë time janë të përfituara në mënyrë të ligjshme dhe prokurori e pranoi. Unë e kam marrë me shkëmbim apartamentin tim. Bëhet fjalë për një shtëpi që kemi pasur ke blloku si unë dhe mamaja ime që e kemi marrë me kredi. Ka edhe një avantazh që unë futem një çik më pa radhë se mamaja ime në Gjykatën e Strasburgut. Në raste të tilla prokurori zbaton vendimin e gjykatës.
Kishim vetëm shpalljen, prokurori kërkoi që të mos ndryshohej vendimi. Që të jemi të sinqertë, prokurorët ngritën arsyen e bashkëpunimit të Fatime Kryemadhit me Ilir Metën për korrupsion që nga video e Dritan Priftit që është absurde. Prokurori mendonte se ishte pushuar çështja dhe ne i thamë që nuk është, por është gjykuar në themel. Për çështjen e CEZ-DIA që pretendojnë se Fatime Kryemadhi ka bashkëpunuar me Metën për të blerë apartamentin. Fatime Kryemadhi e ka blerë banesën në mars, ndërsa Ilir Meta dyshohet për një çështje që është gjykuar dy herë, bëhet fjalë për në dhjetor të 2010. Si mund të jetë bashkëpunimi? Automatikisht nuk ka koherencë, prova dhe fakte. Bën sekuestro për një grua që ka një ekspertizë financiare që prokuroria duhet ta bënte para se të fillonte hetimet. Është absurde. Patjetër që mamaja ime është në akuzë, mjafton që i vajtën kontroll në shtëpi do të thotë se je në hetim.
Edhe kur e morën në pyetje 8 muaj mbas kontrollit që s’ia pranuan prapë avokatin, kjo është përsëri në kuadër të shkeljeve të drejtave të njeriut. Se ti nuk mund të marrësh një person në dijeni që të përdorësh deklaratën e saj kundër fëmijës së vet, kur ka marrëdhënie të posaçme kur i ke vajtur kontroll në shtëpi në raste të tilla. Aq më shumë se ajo është me aparat dëgjimi, por ajo është snajper. Kemi depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, më datën 6 dhjetor na erdhi vendimi, kemi 35 ditë kohë dhe do të bëjmë rekurs. Tani unë do të pres për masën time të sigurisë dhe zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të doktor Berishës sepse janë të lidhura statusin e deputetit.
Kam jetuar gjithmonë me mamanë. Kur kam ngelur shtatzënë për herë të parë me vajzën time s’kam qenë e fejuar as e martuar me Ilir Metën. Ajo më tha do të jetosh me mua se ne ishim dy të rinj që mendonim se çdo gjë që fluturon hahet. Ajo më hapi derën e shtëpisë dhe më dha dy dhoma për të jetuar me Ilir Metën. Pastaj m’u sëmur babai dhe ajo kishte nevojë për mua dhe kemi jetuar bashkë që nga 1998”, tha Kryemadhi.
Gati një muaj më parë, Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa edhe pse me të njëjtat akuza me Metën, është lënë në “detyrim paraqitje” për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Mbi Kryemadhin rëndojnë të njëjtat akuza si të Metës. /ZËRI