
TIRANË-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kthyer dosjen e deputetit demokrat, Asllan Dogjani, për plotësim hetimesh. GJKKO i ka lënë afat dy muaj SPAK për plotësimin e hetimeve. Dogjani, i akuzuar nga SPAK për fshehje pasurie, ka deklaruar pas seancës se sot “triumfoi drejtësia.”
"E kanë kthyer edhe njëherë çështjen për hetim, sepse nuk është bërë i plotë. Tregon që triumfon drejtësia. Unë kam patur një periudhë shumë të vështirë, jo vetëm vetë, por edhe familja ime. Njerëzit të cilët më kanë ndjekur, i falënderoj të gjithë. Sot ka fituar drejtësia, është fundi i Edi Ramës. Sepse edhe këta prokurorë e gjyqtarë, kanë filuar ta kuptojnë sepse nesër, do të zëvendësohen nga Edi Rama nga 100 mijë palestinezë, bangadeshas apo emigrantë të ardhur nga vende të tjera. Nëse do të vazhdojë ky njeri, këtu nuk do të flitet më shqip, sepse këtu do të hikoni sesi sjell 25 mijë ton mbetje toksike. E ka kthyer Shqipërinë në një vend mbeturinash. Ky është fundi i Edi Ramës dhe kjo është fitorja dhe triumfi i drejtësisë”, tha Dogjani pas daljes nga ambientet e GJKKO.
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet ndaj Dogjanit në dhjetor të 2024, dhe mori atë sit ë pandehur për akuzat për deklarim të rremë pasurie. Në sqarimin publik që ka publikuar SPAK, thuhet se deputeti Dogjani ka blerë një apartament në vitin 2006 dhe e ka paguar me 121 mijë euro kesh, në mënyrë që të fshehë burimin e të ardhurave.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shton se më 24 Mars 2010, deputeti deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial". Apartamentin, deputeti tha se e kishte marrë në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar kompanisë. Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe në deklarimin e pasurisë që bëri më 16 Qershor 2023. Por, sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se për apartamentin, deputeti ka paguar kesh shumën prej 121.980 eurove./ZËRI