TIRANË- Kryebashkiaku i burgosur, Erion Veliaj, ka dështuar në planin e tij për t’u futur në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 majit, me qëllim daljen nga qelia. Kjo u zbulua nga biseda e regjistruar që Veliaj ka bërë me telefonin e një prej gardianëve, me datë 13 mars. Bisedën në fjalë kryebashkiaku e kreu teksa po zhvendosej me furgonin e policisë drejt Gjykatës së Apelit, ndërsa SPAK e ka shtuar si provë në akuzat ndaj Veliajt për futjen e sendeve të paligjshme.
SPAK nisi menjëherë marrjen e dëshmive të punonjësve, përmes të cilave janë zbuluar planet e kryebashkiakut për të dalë nga qelia përmes imunitetit të deputetit. Lidhur me këtë, gardiani ka dëshmuar në SPAK teksa ka zbuluar propozimin e bërë në furgon gjatë trasferimit të kryebashkiakut. Sipas tij dëshmisë së gardianit, bëhej fjalë për përfshirjen e Veliajt në listën e kandidatëve duke hequr një emër të ri.
“Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë, apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”, thuhet në një pjesë të dëshmisë.
Sipas dëshmisë së gardianit, Veliaj ka përmedur emrat të tjerë që po bëhen deputetë për t’i shpëtuar SPAK-it, ministri i Mbrojtjes, Ulsi Manja dhe Tërmet Peçi. Ndërkohë, në dokumentet e siguruara nga “Ora Neës”, evidentohen qartë bisedat e Veliajt me vëllain Arbin dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Gjatë këtyre bisedave, Veliaj thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut.
Megjithatë, plani i tij përmes imunitetit të deputetit dështoi, pasi nuk u përfshi në listën e kandidatëve të Tiranës. Gjithashtu, ankimimet e tij për ndryshim të masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë janë rrëzuar, duke e lënë në qeli.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.
Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI/