
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të zbatuar masën "detyrim paraqitje", që është vendosur për të. Pasi ka dalë nga ambientet e GJKKO-së, Kryemadhi ka mbajtur edhe një deklaratë për mediat duke u shprehur kundër zyrtarëve të Partisë së Lirisë. Këta të fundit sipas saj, po e sulmojnë ndërsa ajo bën fushatë për tashmë ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta. Edhe pse nuk i përmendi me emra, por i cilësoi si “mercenarë”, Kryemadhi tha se kishin përhapur thashetheme se ajo po bën fushatë për PS. Ndaj, për të provuar të kundërtën, shtoi se në çdo takim merrte me vete edhe fëmijët e saj.
PJESË NGA PRONONCIMI I KRYEMADHIT:
Pse nuk shkuat në seancë për divorcin?
Monika Kryemadhi: Kush ka iniciuar divorcin le ta komandojë. Nuk ka pse të kem seancë pajtimi për një gjë që dikush do të ndërpresë marrëdhënien me mua, nuk kam pse të lutem dhe të pres të pajtohem.
Nuk është shkaktare politika?
Monika Kryemadhi: Mendoj se ishte justifikim, për mua s’ka gjë dmth. Për shkak të politikës nuk shkatërrohet familja.
Do të keni të njëjtin intensitet në angazhimin tuaj elektoral?
Monika Kryemadhi: Patjetër ndoshta pak më shumë për hir të fëmijëve, se janë fëmijët ata që janë më mua në çdo hap në çdo takim. I kam marrë si dëshmitarë. Kjo se stafi i zotit Meta me paturpësinë me të madhe i thonë mos dëgjoni Monikën se kërkon votë për PS-në. I bëj thirrje të gjithëve që më datën 11 maj të votohet Ilir Meta. Se çfarë thonë mercenarët që kanë uzurpuar Partinë e Lirisë t'i harrojnë sepse vota në fund të fundit është për Ilir Metën. Unë besoj tek kthjelltësia politike e Ilir Metës. Dalja e tij në listë të hapur tregon se ka një kthjellim politik. Unë kisha bërë plan që të mos merresha fare, por gjithë pjesa tjetër i ka obliguar që të marrë vota për të. Në këtë sistem ku ne jemi sot, ne kemi bërë një sistem drejtësie për të bërë drejtësi. Edhe McGonigal, u gjykua në gjendje të lirë dhe iu dha vendimi dhe pas 4 muajsh shkoi dhe kreu dënimin. Jam e bindur që rrëmbimi i Ilir Metës është bërë me urdhër të një gruaje që sot nuk është askush, është bërë me urdhër të Yuri Kim. Kjo është një gjë që nga ana tjetër, ne nuk kemi kërkuar një sistem drejtësie që ët burgosim 30 veta, por për të vendosur drejtësi.
Si është një fillim i ri për ju?
Kryemadhi: Ajo që nuk dtë vret të bën më të fortë.Për të fituat gjithçka, duhet të lëshosh gjithçka. Angazhimi im është me fëmijët. Por që mendoj se është një erë e re për mua dhe për familjen tim.
Filmin e keni përfunduar?
Kryemadhi: Ende jo! Sigurisht që i bashkangjitem tek kërkesa për vota për stafin e filmit.
Kryemadhi ka shkuar sot në GJKKO, pasi si ajo, ashtu edhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta; të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë./ZËRI