Politikë

Fletë votimi të falsifikuara në Peqin/ PD kërkon hetim ndërkombëtar për 'trenin bullgar'

Opozita kërkon që ekspertiza mbi materialet e sekuestruara të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë të pavarur

F.I
Fletë votimi të falsifikuara në Peqin/ PD kërkon hetim
fletët e votimit

ELBASAN-Partia Demokratike ka kërkuar një hetim ndërkombëtar në lidhje me materialet zgjedhore të sekuestruara në Peqin. Dervish Beqirit iu gjetën dhe sekuestruan 10 fletë votimi, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Rasti u denoncua një ditë para arrestimit nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili tha se në Elbasan është përdorur ‘skema e trenit bullgar’.

Në një deklaratë nga selia blu, deputeti i ardhshëm i PD, Blendi Himçi tha se materialet përputhen me formatin zyrtar të fletëve dhe listave të votimit të shpërndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Opozita kërkon që ekspertiza mbi materialet e sekuestruara të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë të pavarur, jo nga strukturat që janë tërësisht të politizuara dhe të kapura nga pushteti, siç i konsiderojnë ata.

DEKLARATA:

Dua të denoncoj sot, me shqetësim dhe indinjatë, përpjekjen e turpshme të Policisë së Shtetit për të fshehur një nga rastet më të rënda të krimit elektoral në këtë fushatë, në fshatin Pekisht. Si kandidatë dhe përfaqesues të Partisë demokratike në qarkun e Elbasanit, e konsiderojmë të pavërtetë dhe keqdashëse çdo aludim apo pretendim të Policisë se materialet zgjedhore të zbuluara në lokalin e kryeplakut të fshatit Pekisht janë të falsifikuara. Materialet përputhen me formatin zyrtar të fletëve dhe listave të votimit të shpërndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Së dyti, për të garantuar transparencë të plotë, kërkojmë që ekspertiza mbi materialet e sekuestruara të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë të pavarur, jo nga strukturat që janë tërësisht të politizuara dhe të kapura nga pushteti.

Së treti, e cilësojmë deklaratën e Policisë së Shtetit, si një farsë të mirëorganizuar që ka për qëllim të zbehë rëndësinë e ngjarjes dhe të mbulojë provat e krimit elektoral të ndodhur në Pekisht. Kjo sjellje konfirmon se Policia e Shtetit nuk është neutrale, dhe po përdoret për të mbrojtur interesat e qeverisë.

Ngjarja e Pekishtit është një dëshmi e qartë e tentativave për të blerë votën dhe për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Ne do të ndjekim çdo hap ligjor e institucional për të nxjerrë të vërtetën në dritë dhe për të mbrojtur procesin zgjedhor. Ata që e gatuan dhe e mbajnë në këmbë këtë farsë elektorale do të përgjigjen. Detyra jonë është ta bëjmë publike këtë farsë dhe ta shtyjmë drejtësinë dhe faktorin ndërkombëtar të flasë dhe të veprojë.

Poll

MOS HUMB