TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vijuar me deklaratat për manipulim të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Në deklaratën për shtyp, Berisha u ndal tek votimi në Diasporë, ku sipas tij, shumë nga zarfat nuk u kthyen nga DHL në Shqipëri. Kryedemokrati deklaroi se mbi 15 mijë vota nga Italia nuk u kthyen dhe se shumë zarfa të tjera janë zbuluar me firma të falsifikuara si vizë apo fjongo, ose ka patur raste kur kanë firmosur persona të tjerë dhe jo votuesi.
Sali Berisha: Kam paraqitur disa ditë me radhë para medieve dhe publikut farsën zgjedhore të diasporës në Greqi.
Skenarë të njëjtë me Greqinë janë zhvilluar edhe në zona të tëra të Italisë. Këtu, zgjedhës të miratuar në Itali kanë qenë 91 mijë. Zarfe të dërguar në Itali janë 91 mijë. Por zarfe të mbërritur në KQZ nga Italia janë 75 mijë apo 15 mijë më pak. Çka do të thotë se 15 mijë e 474 vota u mbytën në Adriatik për arsye politike. Nuk mbërrijnë në destinacion. Grupi që po analizon ka shqyrtuar gjithsej 353 fatura që DHL ka paraqitur për dorëzimin e votave tek qytetarët shqiptarë. Nuk është u dorëzuar vota 7 përqind të votuesve, janë përjashtuar. Nuk është marrë firma tek 3 përqind e tyre. Kanë firmosur persona të tjerë në 21 përqind të rasteve. Pra, siç e shihni, në rreth 30 përqind, ai që ka marrë votën, nuk dihet kush është, nuk është i zoti, nuk është personi që i takon. Në vend të firmave, në 3 përqind janë gjetur vetëm vizë. Në 3 përqind është gjetur vetëm fjongoja, se Lubia e ka shumë pasion fjongon. Shenja të tjera në vend ët firmës, 15 përqind. Domethënë në 42 raste është krejtësisht falsitet dorëzimi i fletëve të votimit. Po të shtosh këtu 42, plus 7, 49 që nuk janë dorëzuar fare, në 50 përqind të rasteve, fletët e votimit nuk u janë dorëzuar votuesve, por janë dorëzuar në zyrat e PS. Nuk faktohet marrja nga votuesi në 50 përqind të rasteve.
Berisha kërkoi nga shqiptarët e diasporës që të ngriheshin kundër këtij manipulimi dhe falsifikimi zgjedhor, kundër qeverisë dhe mazhorancës. Ndër të tjera kreu i PD akuzoi sërish edhe KQZ-në për heshtjen ndaj kërkesave të opozitës për transparencë.
Sali Berisha: Nuk i kanë ardhur në KQZ, nuk kanë ardhur në KQZ. KQZ-ja i ka dorëzuar numrin e saktë dhe në rikthim 15 mijë janë zhdukur rrugës. Nuk janë, nuk janë. Por kompania dhe KQZ-ja hezitojnë të bëjnë transparencën e plotë dhe ne po i ndjekim hap pas hapi. Do jetë çështje shumë e madhe. Ne po e ndjekim hap pas hapi. Akoma nuk kemi dërguar, por natyrisht ne do të komunikojmë me selinë qendrore të DHL-së, do ta informojmë me hollësi, do dërgojmë të gjithë dokumentacionin do i çojmë patjetër.
Berisha u shpreh se të gjithë dokumentacionin do e çojnë në selinë qëndrore të postës DHL./ZËRI