TIRANË- Është zbardhur dokumenti i plotë i raportit të Partisë Socialiste për Reformën Territoriale. Socilaistët kanë prezantuar katër opsionet për reformën e re, të cilët synojnë riorganizimin e qeverisjes vendore dhe rritjen e efikasitetit të bashkive.
Sipas dokumentit, variantet ndryshojnë si për mënyrën e organizimit territorial, ashtu edhe për shpërndarjen e funksioneve mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
Katër opsionet e prezantuar nga PS për Reformën Territoriale:
Varianti 1: Ruhet harta aktuale, ndërsa funksionet më të avancuara u kalojnë bashkive me më shumë kapacitete ose realizohen përmes bashkëpunimit ndërbashkiak.
Varianti 2: Bashkitë bashkohen në njësi më të mëdha, që të gjitha të kenë kapacitet për të ushtruar të gjitha funksionet ligjore.
Varianti 3: Parashikon bashkime të moderuara të bashkive dhe kalimin e disa funksioneve te qeveria qendrore ose strukturat ndërbashkiake.
Varianti 4: Bashkitë fokusohen vetëm te shërbimet bazë, ndërsa funksionet e tjera kalojnë te nivele të tjera të qeverisjes qendrore.
Katër skenarët do të shërbejnë si bazë diskutimi në procesin e Reformës Territoriale, përmes së cilës synohet rritja e kapaciteteve të qeverisjes vendore dhe përmirësimi i ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
“Mbi këtë bazë, Rishikimi Funksional i paraqiti Komisionit katër skenarë strategjikë, të cilët nuk janë rekomandime, por opsione analitike që ilustrojnë mënyra të ndryshme të harmonizimit përgjegjësi–kapacitet:
Varianti 1: Decentralizim asimetrik. Harta territoriale ruhet e pandryshuar, ndërsa përgjegjësitë funksionale diferencohen sipas kapacitetit të demonstruar: funksionet bazë u mbeten të gjitha bashkive, ndërsa funksionet më kërkuese u ngarkohen vetëm njësive me kapacitet të mjaftueshëm ose ushtrohen përmes qeverisjes së përbashkët. Avantazhi kryesor është shmangia e kostove të një rikufizimi; sfida është ndërlikimi i kuadrit ligjor e institucional dhe tradita e kufizuar e bashkëpunimit ndërbashkiak, që mund të kërkojë një nivel shtesë qeverisjeje.
Varianti 2: Bashkime të mëdha. Konsolidim territorial gjithëpërfshirës, me objektivin që çdo bashki e re të ketë kapacitet të mjaftueshëm institucional për të ushtruar të 41 funksionet e Ligjit nr. 139/2015, me mundësi edhe për decentralizim të funksioneve të mëtejshme. Avantazhi është barazia funksionale e plotë e njësive; sfidat janë vështirësia për të ndërtuar njësi të nivelit A në disa rajone, respektimi më i kufizuar i parimit të subsidiaritetit dhe rreziku që diversiteti kulturor të marrë më pak vëmendje.
Varianti 3: Bashkime të mesme dhe rialokim i funksioneve plotësuese. Konsolidim i moderuar: bashkimet përqendrohen te njësitë me kapacitet të kufizuar, në mënyrë që çdo bashki të ushtrojë me siguri funksionet bazë dhe të zgjeruara, ndërsa funksionet e specializuara plotësuese rialokohet te qeveria qendrore, bashkëpunimi ndërbashkiak ose niveli i dytë vendor. Avantazhi është raporti më i mirë kosto–përfitim i ndërhyrjes; sfidat janë rreziku i ricentralizimit të disa funksioneve dhe, sërish, nevoja e mundshme për një nivel shtesë qeverisjeje.
Varianti 4: Bashki të përqendruara në funksionet bazë. Ristrukturim më rrënjësor I përgjegjësive: bashkitë, përfshirë mundësinë e njësive më të vogla, përqendrohen te funksionet bazë, ndërsa funksionet plotësuese dhe një pjesë e të zgjeruarave rialokohet te rregullime të tjera qeverisjeje. Avantazhi është përputhja më e mirë me parimin e subsidiaritetit; sfidat janë vështirësia praktike e ndarjes së njësive dhe potenciali i kufizuar për decentralizim të mëtejshëm.”- thuhet në raport.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike pritet të dorëzojë në Kuvend vetëm një analizë të Reformës Territoriale të vitit 2014, pa paraqitur një propozim për hartën e re administrative. Sot në seancën e fundit plenare pritet të diskutohet gjetjet mbi reformën mes palëve politike, ndërsa nuk pritet të ketë votim që miratohet kjo reformë.
Në fillim të seancës së sotme Partia Demokratike depozitoi zyrtarisht kërkesën për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, por kërkesa është kundërshtuar nga mazhoranca në Kuvend./ZËRI