
TIRANË- Në konferencën me presidenten e Komisionit Europian, kryeministri Edi Rama u përgjigj lidhur me protestën e sotme të opozitës në Strasburg. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se është i hapur për bashkëpunim me opozitën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por, sipas tij, ndërsa opozita vazhdon aksionin e saj, socialistëve u duhet që të ecin para me programin e tyre.
Sot që presidentja është këtu, opozita proteston në Parlamentin Europian, a ndikon kjo në imazhin për Shqipërinë?
Edi Rama: Duhen dy për një tango thotë një fjalë... Ndaj nëse nuk ka një dyshe për një tango, ka vetëm një muzikë, muzika e Bashkimit Europian. Muzika e BE është e shkruar në mijëra partitura me detyra dhe afate konkrete. Me monitorim shumë të imtësishëm dhe patjetër edhe me rezultate konkrete. Kështu që do të ishte shumë mirë, nuk diskutohet që edhe në aspektin që pyetët ju do të ishte e dëshirueshme dialogu me opozitën. Por nuk rrimë dot në vend dhe ta vajtojmë këtë situatë, por të vazhdojmë para dhe të bëjmë detyrat dhe ta ulim Shqipërinë në tryezën e BE si një vend anëtar. Kam besim se më herët sesa vonë, kur të jemi rrugës do të ndodhë, do të jemi pjesë e BE. është fillimi i fundit të një historie shumë të gjatë. Më herët sesa vonë një histori e re do të fillojë në këtë aspekt./ZËRI