
TIRANË- Ambasada Amerikane ka reaguar për kaosin që u shoqërua seanca plenare e ditës së djeshme (30 shtator). Ambasada ka dënuar veprimet e opozitës duke u shprehur se janë akte dëmtuese që nuk kanë vend në procesin demokratik. Gjithashtu ka sygjeruar që opozita dhe mazhoranca të dialogojnë dhe të ruajnë vlerat e qytetarisë.
"Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë.
Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike." thuhet në deklaratë.

Opozita nisi dje aksionin e paralajmëruar duke bojkotuar fillimisht Komisionet dhe më pas foltoren e Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike në mbështetje të Salianjit krijuan kaos në Kuvend, ku në shenjë proteste nxorrën karriget jashtë dhe iu vendosën flakën. Si pasojë e trazirave në Kuvend, seanca zgjati vetëm 15 minuta./ ZËRI