Politikë

Aksioni i opozitës në Kuvend, Gonzato: Është për të ardhur keq, nuk mund të shprehet pakënaqësia me dhunë

“Ndjej keqardhje për situatën e krijuar, është për të ardhur keq”, tha mes të tjerave Gonzato

E.K
Aksioni i opozitës në Kuvend, Gonzato: Është për
Silvio Gonzato

TIRANË- Ambasadori i BE, Silvio Gonzato është shprehur i keqardhur nga aktet e dhunës që u shfaqën dje në sallën e Kuvendit, ndërsa bëri thirrje që deputetët të shmangin përshkallëzimin e situatës.

“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin.

Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë”, u shpreh ambasadori i BE në Tiranë.

Seanca e djeshme në Kuvend zgjati më pak se 20 minuta, ndërsa u shoqërua me akte dhune nga deputetët e opozitës. Opozita shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB