Politikë

Dhuna dhe flakët nga deputetët e opozitës, Kuvendi: Do u mbahen lekët nga rroga për blerjen e karrigeve të reja

Kuvendi i Shqipërisë, ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar

E.K
Dhuna dhe flakët nga deputetët e opozitës, Kuvendi: Do u mbahen
kryetarja e kuvendit, elisa spiropali

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë, përmes një deklarate për mediat, ka reaguar mbi aktet e dhunës, që kryen deputetët e opozitës, në seancën plenare të së hënës, ku nuk mungoi as djegia e karrigeve. Në njoftimin e Kuvendit thuhet se deputetëve do t’iu mbahen para nga rroga e tyre, në mënyrë që të zëvendësohen sendet e shkatërruara.

Deklaratë e Kuvendit të Shqipërisë rreth ngjarjes së djeshme në seancën plenare:

Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni më i rëndësishëm kushtetues që mishëron vullnetin e popullit nëpërmjet të zgjedhurve të vet, u sulmua dje si kurrë më parë dhe u përball me akte të rënda, deri në zjarrvënie, të dënueshme në aspektin e legjislacionit shqiptar dhe absolutisht të papranueshme në çdo aspekt tjetër.

Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike.

Kuvendi i Shqipërisë, ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë.

Kuvendi i Shqipërisë u kujton të gjithëve se ky institucion është besimi dhe vullneti i popullit dhe populli nuk është një karrige që digjet, po është Sovrani që shërbehet deri në fund nga Kuvendi për besimin dhe vullnetin e Tij.

Seanca e djeshme në Kuvend zgjati më pak se 20 minuta, ndërsa u shoqërua me akte dhune nga deputetët e opozitës. Opozita shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB