TIRANË-Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën e mbledhjes së Parlamentit të ri të Legjislaturës së XI. Parlamenti do të mbajë seancën e parë në datën 12 shtator, në orën 10:00. Në parlamentin e ri, PS do të ketë 83 deputetë. Ndërsa nga 140 që të hyjnë në Parlament, 72 prej tyre janë të rinj dhe ulen për herë të parë në Kuvend.
“Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit”, tha Begaj në mesazhin e tij pas dekretimit të datës së nisjes së Kuvendit.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, kryeminstri Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës.
Ndërkohë shpallja e qeverisë së re do të vijë një ditë para mbledhjes së Kuvendit të ri. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet të enjten e 11 shtatorit 2025.
Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate, Partia Demokratike dhe aleatët e saj 50 vende deputetësh, PSD 3 mandate, Mundësia 2 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat./ZËRI