Politikë

Deputetët e PD njoftuan mbledhje për imunitetin e Ballukut, e gjejnë të mbyllur derën e sallës, Bardhi: Mund të kenë fshehur Agasin në zyrë

Deputetët e Partisë Demokratike janë paraqitur këtë të premte, në ambientet e Këshillit të Imunitetit dhe të Mandateve, por kanë gjetur derën e sallës së mbledhjes të mbyllur.

E.K
Deputetët e PD njoftuan mbledhje për imunitetin e Ballukut, e
Gazment Bardhi

TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë lejuar që të hyjnë sot në sallën e Këshillit të Mandateve në Kryesinë e Kuvendit, ku kërkojnë shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Deputetëve iu komunikua nga garda, se dita e sotme ishte një ditë pushimi zyrtar dhe për këtë shkak sallat kanë qenë të mbyllura. Në një reagim për mediat, kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj Kuvendit, ndërsa me ironi theksoi se në një nga sallat që mbyllën mund te jetë fshehur Ergys Agasi.

“Të lejohet hetimi i plotë i pandikuar dhe pacenuar në rastin Balluku dhe të bëjmë gjithcka që kemi ne në dorë. E shikoni se çfarë arrijnë të bëjnë këta, mbyllin Kuvendin. I ka dhënë urdhër gardës që të mos lejojë mediat në zyrën e grupit të PD. Kështu është kur garda drejtohet nga një trafikant armësh, një far Simon Simoni… Mos të duket çudi që në një nga sallat që kanë mbyllur të jetë strehuar Ergys Agasi. Në fillim të javës që vjen do të kërkojmë mbledhjen e radhës. Jemi 24/24 në dispozicion të këtij procesi. Nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin, por për ta luftuar. Ndjej keqardhje që kryetari i Kuvendit thotë që kur të plotësohen kushtet procedurale të zhvillohet mbledhja”, tha ai. 

Pesë anëtarët demokratë të këtij këshilli kishin kërkuar zhvillimin e mbledhjes në orën 11:00, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, gjithashtu deputete dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë. Sipas opozitës, kërkesa i ishte drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, por kur deputetët u paraqitën në sallën e Këshillit të Mandateve, ajo ishte e mbyllur.

Në mbledhjen e të premtes, datë 19 dhjetor, Këshilli nuk doli me një datë tjetër për mbledhjen e radhës. Në mbledhje mazhoranca këroi të mblidhet Këshilli më 19 janar. Avokati i Ballukut kërkoi 3 javë kohë, për t’u njohur me provat e SPAK.  Me kërkesë të demokratëve, Këshilli vendosi që anëtarët të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. 

Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar. Ndërkohë vetë kryeministri Edi Rama ka theksuar se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun deri në momentin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet me një vendim më 22 janar.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, nga relacioni i zbardhur u zbulua se SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj./ZËRI

Poll

MOS HUMB