TIRANË- Adriatik Lapaj, kreu i "Shqipëria Bëhet", po vijon tashmë prej më shumë se dy javësh qëndresën e tij përpara Kryeministrisë. Lapaj bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 4 janarit, në orën 12:00, për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Ai theksoi se është e nevojshme që të jenë sa më shumë në shesh për të bërë të munduar largimin e 'klikës nga pushteti', siç ai e quan.
"Ne sot kemi nisur organizmin për protestën e 4 janarit, e cila do të jetë masive shumë më e madhe se e para. Në orën 12:00 i madh e i vogël, nga cdo shtresë sociale, nga çdo cep i vendit, nga fermerët që janë përmbytur e nuk kanë marrë dëmshpërblimet...duhet të bashkohen masivisht për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e klikës në pushtet. deri 3 javë më parë të kërkoje dorëheqjen e Edi Ramës ishte si të bëjë gjynah. Askush nuk guxonte ta thoshte atë që mendonte edhe pse shumica dërrmuese e mendonte. Vendi ka filluar të ngjallet nga vdekja klinike. Sa protesta kanë ndodhur në këto 3 javë nga grupime të ndryshme, nuk ka pasur në 3 vitet e fundit. Këta e kishin kapur dhe marrë peng debatin publik. Qytetarët që po reagojnë po imponojnë një agjendë të re. Kishte muaj që dëshmohej se zv/kryeministrja ishte kapur në flagrancë duke vjedhur para e qytetarëve, por vetëm heshtje. Kudo heshtej, emisione të rëndësishme nuk bëheshin, gazetarë dhe analistë çuditërisht nuk kishin një mendim...Janë munduar edhe ta relativizojnë duke thënë këta të korruptuar janë, ‘por ja na ikën këta kush do vijë?”
Sipas Lapaj, është e rëndësishme dalja masive në protestë dhe është koha e duhur për bashkimin përballë atyre që 'po vjedhin'.
"Tashmë është koha për t'u bërë bashkë kundër hajdutëve që po na vjedhin kohën, jetën, po na vjedhin të tashmen dhe të ardhmen. Pasi së bashku ta mundim klikën që na vjedh është atëhere koha që mund të luftojmë edhe me njëri-tjetrin për idetë e ndryshme dhe për ta bërë edhe më të mirë këtë vend. Por, sot është koha e një bashkimi të madh përballë atyre që na vjedhin.", tha Lapaj.
Protesta e paralajmëruar nga "Shqipëria Bëhet" për në datën 4 janar, vjen pas asaj të 20 dhjetorit, ku vu re një numër i konsiderueshëm protestuesish.
Prej datës 8 dhjetor, Adriatik Lapaj është “ngujuar” poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. E nisi vetëm, por dhjetëra qytetarë i janë bashkuar protestës që vijon prej dy javësh dhe që do të zgjasë sipas Lapajt, deri në largimin e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës./ZËRI
