TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar paketën e re ligjore, kundër protestave të dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë. Paketa përfshin 6 instrumente, të cilat sipas kryeministrit, i japin një goditje dhunës së shkaktuar nga ata që duan të marrin peng popullin shqiptar dhe Qeverinë.
Instrumenti i parë lidhet me dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla, ndërsa i dyti parashikon një ligj të ri, sipas modelit francez, për përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara gjatë grumbullimeve që shkon deri në një gjobë prej 500 mijë lekësh. Instrumenti i tretë parashikon ndryshime në ligjin për tubimet. Rama thekson se ky instrument nuk prek mjetet dixhitale, por i jep Policisë më shumë kapacitetet parandaluese dhe reaguese, përfshirë thirrjet për dhunë në rrjetet sociale.
Sipas asaj që bëri me dije kryeministri, instrumenti i katërt lidhet me regjistrin e posaçëm që do të administrohet nga Policia, ndërsa personave të identifikuar do t'u ndalohet dalja nga vendi. Ndërkohë, çdo mësohet që shfrytëzon autoritetin për të nxitur dhe organizuar pjesëmarrjen e nxënësve në protestë do të pezullohet ose përjashtohet. Një tjetër ndryshim i ashpër parashikohet për ata që kapen me armë, të cilët do të dënohen deri në 2 vite burg.
"Instrumenti i parë-akti normativ i dëmshpërblimit të menjëhershëm të biznesit të vogël. Ky akt vjen si një mbështetje financiare, ku shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve për bizneset e vogla, në 70% të dëmeve për bizneset e mëdha. Ata që u përfshinë në ato akte, do të paguajnë secili pjesën e vetë të gjobës. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, dëmshpërblimi do kalojë te prindërit.
Instrumenti i dytë-ligji i ri sipas modeli francez. Ligji zbatohet për të gjitha grumbullimet. Askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar. Ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes. Kush zgjedh të qëndrojë në një grup duke e ditur që përreth tij po thyhet dhe po shkatërrohet, do të përgjigjet përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme. Kush zgjedh të qëndrojë në turmë, duke ditur se për rreth po sulmohet me gurë, po digjet e po shkatërrohet, do të gjobitet. Gjoba do të shkojë deri në 500 mijë lekë të reja. Për pjesëmarrjen e të miturve, gjobën e paguan prindri ose kujdestari.
Instrumenti i tretë-ndryshimi i ligjit për tubimet. Ndryshimet për ligjin për tubimet. Ligji për tubimet është i vitit 2001. Ai nuk parashikon asgjë për mjetet dixhitale. Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vende publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese për fenomenin e thirrjes për dhunë në rrjetet sociale. Konkretisht perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme. Kur identifikon një thirrje për dhunë në rrjetet sociale, Policia i dërgon një njoftim menjëherë për fshirjen e njoftimit. Nëse nuk fshihet, Policia vepron përmes ndjejes penale.
Instrumenti i katërt-Me VKM krijohet regjistri i posaçëm elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit. Ky regjistër administrohet nga Policia dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre shtetasve. Do u refuzohet dalja nga vendi personave që synojnë t’i shmangen veprave penale. Do njoftohen edhe autoritetet e huaja për rrezikshmërinë që ai paraqet. Përfshi edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren. Të jetë i bindur çdo person, qoftë si ata me bluza të bardha dhe me maska që kishin ardhur dje si mercenarë për të ushtruar dhunë, dhe që tregonin muskujt para Ministrisë së Arsimit, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë i qetë në Europë, pa mbaruar punë me drejtësinë këtu në Tiranë.
Instrumenti i pestë-Kodi i etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Asnjë mësues nuk mundet t’i çojë fëmijët në protesta të paligjshme, duke përdorur autoritetin e tij. Mësuesit do të pezullohen ose përjashtohen kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror, profesional për të nxitur ose organizuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeça në tubime. Masa nuk prek të drejtën e mësuesve për të protestuar vetë.
Instrumenti i gjashtë-Ndryshimet në kodin penal, ndjekin praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Këto dispozita ndëshkojnë dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen. Ato e përjashtojnë shprehimisht protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë. Kush kapet me armë apo sende të tjera të paligjshme dënohet deri në 2 vite burg. Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve dënohet më rëndë sesa aktualisht. Dënimi më i rëndë shkon kur thirrja u drejtohet fëmijëve. Fshehja e fytyrës, gjobë deri 6 muaj burg (kur në protest ka dhunë). Nuk ndëshkohet kush e zbulon fytyrën sapo dëgjon urdhrin e policisë. Shkatërrimi i pronës (dënim dyfish kur prek shkolla, etj). Goditje polic apo qytetar, rritje me 1/3 kur është i maskuar. Nxitja për dhunë në rrjetet sociale, plackitje, etj. Dënimi më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve, ose kur pas saj ndodh dhuna. Kanosja online, dënim më i gjerë.", u shpreh Rama.