
TIRANË- Deputeti demokrat, Dash Sula i është përgjigjur akuzave se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ai mbështeti kandidaten socialiste në listën e hapur, Sara Mile. Akuzave i është përgjigjur gjatë një interviste për "A2 CNN", ku u shpreh se as ai dhe as persona të tjerë në familjen e tij (siç pretendohet i biri) nuk kanë pasur kontakt me tashmë deputeten socialiste. Por nuk e lë më kaq! Sula pretendon se njerëz pranë Partisë Demokratike e kanë monitoruar gjatë fushatës për ta kompromentuar. Dhe për këtë ngre një akuzë, ose pretendim.
Sipas tij, persona të panjohur i kanë hequr disa kamera sigurie nga bizneset e tij, për motive ende të paqarta. Si një ish-prokuror, ka vendosur që të hetojë vetë për ngjarjen.
“Po të tregoj një deat të sotëm që syri ma ka kapur pas një muaji e ca. Tek biznesi i familjes time, në parkimin e biznesit të familjes time mungonin 3 kamera sigurie. Në një analizë që bëra me bashkëshorten dhe fëmijët e mi, nxorra 2 hipoteza, ishte ajo e një hajduti, dhe...
Arrita në konkluzionin se bie hipoteza e hajdutit dhe përfundimisht që mbetet për të verifikuar por po e them publikisht, se edhe njerëz të BKH apo PD ta thonë se nuk kam frikë dhe turp, sepse nuk kam bërë gjë. Unë jam mbyllur tek puna dhe familja ime. Nuk kam bërë kurrë një ditë të vetme fushatë. Të nxjerrin një qytetar për të parë nëse kam bërë një telefonatë. Njerëz të PD kanë monitoruar mua dhe familjen për të më kompromentuar. Edhe SPAK apo BKH t’i bëjnë publike. Unë do vazhdoj të hetoj. Nuk më tremb askush, nuk kam frikë askënd. Ka vetëm një rrugë të më marrin jetën mua për të shpëtuar nga qëndrimet e mia politike,”- tha Sula.
Tashmë mbetemi në pritje të mbylljes së "hetimeve"./ZËRI