Politikë

"Cënim i të drejtës për mbrojtje"! Avokatët e Veliajt kërkesë SPAK-ut: Të zgjatet afati për njohjen e provave

Mbrojtja e Veliajt arsyetojnë se afati 10 ditor nuk mjafton për t'u njohur me dosjen për shkak të volumit jashtëzakonisht të madh të materialeve hetimore.

zh.ll
"Cënim i të drejtës për mbrojtje"! Avokatët e
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, teksa avokatët e tij kanë depozituar një kërkesë për zgjatjen e afatit për t'u njohur me provat. Në kërkesën e tyre, ata kërkojnë zgjatjen deri më datë 24 shtator të afatit për njohjen me përmbajtjen e plotë të akteve. Mbrojtja e Veliajt arsyetojnë se afati 10 ditor nuk mjafton për t'u njohur me dosjen për shkak të volumit jashtëzakonisht të madh të materialeve hetimore. Avokatët argumentojnë se volumi i materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, ndërsaa theksojnë se zgjatja e afatit nuk cënon aspak interesin publik për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur. Ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson të gjithë garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë. Kjo lloj “përmbytjeje dokumentare” është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme në disa vendime, kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara”, vlerësojnë avokatët e Veliajt.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.

Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB