BULQIZË- Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka dekaruar nga Bulqiza se do të ketë penalitete për të personat që dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme. Si një veprim të patolerueshëm, duke theksuar se kjo gjë nuk ndodh vetëm në zonën e Bulqizë, Balluku tha se për këta persona do të ketë dënim maksimal dhe do të publikohet edhe identiteti i tyre.
Lidhur me situatën e zjarreve në rang vendi, Balluku u shpreh se fatmirësisht nuk ka humbje në jetë njerëzish edhe pse situata vijon të jetë kritike.
“Është e patolerueshme kjo. Kjo nuk është vetëm në zonën e Bulqizës, kjo është në të gjithë Shqipërinë. Është bërë punë e shkëlqyer nga punonjësit e policisë, nga zjarrfikësit. Forcat e Armatosura kanë qenë në krye të kësaj beteje me zjarrin. Ne gjejmë rastin për t’i falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar. E rëndësishme është që nuk kemi pasur humbje në jetë njerëzish. Jugu vijon të jetë në situatë kritike, pritet rënie temperaturash. Kjo do na ndihmojë të rikuperojmë dhe të shuajmë vatrat e zjarrit”, theksoi ajo.
Vatra të mëdha zjarri kanë përfshirë vendin tonë prej ditësh. Në jug janë regjistruar problematikat më të mëdha ku janë djegur edhe shtëpi. Situata mbetet kritike edhe Dibër, ku prej ditësh vijon të digjet Parku Kombëtar i Lurës. Forcat zjarrfikëse dhe ushtria vijojnë të jenë në angazhim, por ndërhyrja ka hasur në vështirësi për shkak të terrenit të vëshirë pothuajsë në shumicën e zonave./ZËRI