Politikë

Padia e Irena Gjokës/ Berisha shkon në SPAK, e "presin" protestuesit për Gjipenë, kryedemokrati: Dora e mafies është kudo!

Në hyrje të godinës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Berisha u përball me disa qytetarë që protestonin lidhur me çështjen e pronave.

k.m.
Padia e Irena Gjokës/ Berisha shkon në SPAK, e "presin"
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka mbërritur në SPAK pasi u kallëzua nga gjyqtarja Irena Gjoka. Në hyrje të godinës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Berisha u përball me disa qytetarë që protestonin lidhur me çështjen e pronave. Pasi lexoi parrullat e qytetarëve, kryedemokrati u shpreh se nuk i njihte dosjet konkrete, por shtoi pronat e tyre janë rrëmbyer nga mafia.

"Nuk i njoh dosjet konkrete, por natyrisht si institucioni i bashkëpunimit me krimin, ka me qindra mijëra qytetarë, të cilët këtu kanë zemërimin e madh, kanë problemet e mëdha. Atëherë është Edi Rama vetë me Gjipenë. Bëhet fjalë për Gjipenë. Ua mori Gjipenë... Dora e mafies, dora e qeverisë është kudo,"-tha Berisha.

MOMENTI ME VIDEO:

Më pas, Berisha doli nga SPAK pas 1 ore që ishte marrë në pyetje si person në dijeni. Si gjithmonë, kreu i Partisë Demokratike mbajti një fjalim para mediave duke zbuluar detaje nga marrja në pyetje. Pasi doli nga Prokuroria, Berisha tha se ishte thirrur për t'u pyetur vetëm sepse pyeti gjyqtaren Gjoka nëse kishte folur në telefon menjë eksponent të Partisë Socialiste, duke përmendur me emër Alket Hysenin. Sipas tij, nëse ajo do të ishte e pafajshme do të përgjigjej. Ndërsa më pas, listoi të gjitha herët që ka lakuar emrin e saj, duke përmendur edhe rastet kur për të kanë shkruar edhe mediat greke.

DEKLARATA E PLOTË E BERISHËS:

Padia e Irena Gjokës/ Berisha shkon në SPAK, e "presin"

Këtu u thirra me firmë të Altin Troplinit. Altin Troplini ishte shumë i shqetësuar se pse unë kam pyetur Irenën me 5 mbiemra nëse... Domethënë, i shqetësuar gjer në palcë, Altin Troplini që po shtronte një gotë verë me Pojën, e kishte në zyrë... Tani për fyerjen e gjyqtares, dëgjojeni pak këtu, të parashikuar në kaq e aq, Irena Gjoka në detyrë pranë gjykatës, kur unë e pyes nëse ke një bisedë telefonike me Alket Hysenin për 500 mijë euro. Pyetje i kam bërë unë asaj. Dhe gjykatësja e Edi Ramës, familjare, se ka lidhje familjare me Edi Ramën. Unë desha të lexoj, por nuk arrita, për të kuptuar stilin nëse ka dorë Linda Rama në atë material apo jo se janë shumë shoqe, siç e keni marrë vesh. Janë shoqe. Pra, ua them unë këtu, prisni... A ke ti ndonjë bisedë me Alket Hysenin me të cilën flitet për 500 mijë euro për ryshfet për të hequr nga klasifikimi si grup kriminal apo e ke me Mirel Mërtirin? Tani, këtë Irena me 5 mbiemra e ka marrë si fyerje. Pra ushtrimin e funksionit publik timin si kryetar i partisë më të madhe opozitare dhe pyetjen, në të cilën po të ishte e pafajshme, do ta refuzonte, do ta shpjegonte, por Irena, një mashtruese ordinere, një delinkuente klasike, një person që e ka vendin në burg dhe në qeli për ato që ka bërë, e nxitur nga Edi Rama dhe Altin Troplini, ngre padi ndaj meje për fyerje.Tani, të dashur qytetarë, Irena me 5 mbiemra ka këtë kurrikul. Me datën 26 tetor 2023, avokatët e mi i kërkojnë të japë dorëheqjen për konflikt interesi meqenëse ajo ishte shkarkuar nga KLD në vitin 1996 me firmën e Sali Berishës. Por, Irena nuk pranoi të japë dorëheqjen sepse tha nuk keni dokument për këtë gjë. Pyeti a keni dokument, nuk ka rëndësi se ishte shkarkuar. Në nëntor të vitit 2023, KLGJ u jep avoketërve të mi vendimin e KLD për shkarkimin e Irena Gjokës në vitin 1996. Por, dëgjoni tani fytyrën e KLGJ, por dy javë më vonë, KLGJ gënjen deputetët e PD duke u shkruar se kinse nuk ka marrë vendimmarrje të KLD në vitin 1996. Pra, pasi e kishte dorëzuar këtë. E kuptoni se çfarëmalli janë këta? Çfarë llumi njerëzor janë këta? Dy javë para dorëzojnë dokumentin, pas dy javësh u thonë deputetëve nuk ekziston dokumenti. A e imagjinoni ju se çfarë përfaqësoni këta? Edhe njëherë, Pra në nëntor të vitit 2023 u japin avoketërve të mi vendimin e shkarkimit të Irenës me 5 mbiemra në vitin 1996 nga KLD. Pas dy javësh, këta që vetëm llum mund t’u thuash, llum shteti se gjë tjetër nuk mund të jenë, i gënjejnë deputetët duke shkruar se nuk ka vendimmarrje KLD-ja në vitin 1996. Në dhjetor të vitit 2023, kërkesa e avoketëreve për dorëheqje për konflikt interesi meqenëse ishte e shkarkuar nga KLD në vitin 1996, duke dorëzuar edhe vendimin e KLD, Irena me 5 mbiemra nuk pranoi se ai ishte vendim kolegjial, paçka se kryesohej nga Presidenti i Republikës. Në mars të vitit 2024, gazeta greke Ta Nea boton shkrimin që Irena Gjoka është e dëbuar nga Greqia. Por mediat e PS në kor me në krye Idajet Beqirin dhe Frrok Çupin, shkruajnë se ky shkrim është porositur nga Tirana. Me 4 mars 2024, KLGJ nxjerr deklaratë të fuqishme në mbrojtje të Irena Gjokës në vend që të hetonte atë. Vetëm sa nuk i thotë virgjëresha e drejtësisë jo në kuptimin biologjik, por moral. Mediat e Ramës shpikin një letër nga policia që nuk është i vërtetë lajmi për Irena Gjokën. Me 4-5 maj të vitit 2024, ishte ditë e shtunë, e dielë, Pashkë, gazeta Proto Thema nxjerr vendimin e gjykatës për dëbimin e Irena Gjokës nga Greqia. Me 7 maj të vitit 2024, Prokuroria e Përgjithshme deklaron se po nis hetimin e thelluar, Olsi me shumë probleme, Olsi problematik. Me 14 maj, hetim pa rezultat se kërkesat e prokurorisë kalojnë nga Ulsi Manja, i cili bën ato që do. Me 2 maj të vitit 2025, Gjykata e Janinës lëshon vendimin me vulë apostile jo vetëm për dy dëbime të delinkuentes falsifikatore Irena, simbol i narkoshtetit dhe drejtësisë së edi Ramës, por edhe vendimin penal të formës së prerë, të dënuar nga Gjykata e Janinës. Me 5 maj 2025, paraqita para jush këtu dokumentin me vulë apostile, i cili faktonte se Gjykata e Janinës e kishte dënuar atë 3 muaj burg. Me 5 maj të vitit 2025, mohon që të ishte dëbuar apo dënuar nga Greqia në një intervistë që i jep BIRN-it. Me 6 maj del prokura e vitit 2003, që Irena Gjoka kishte lëshuar për noterin në Fier për të marrë avokat që të kundërshtonte vendimet e dëbimit nga Greqia, pra alibia që nuk kishte dijeni. E kuptoni se çfarë personi është kjo? Një ditë para deklaronte se nuk jam zbuar dhe dënuar kurrë, paçka se kishte lëshuar prokurë për të kundërshtuar dënimin, për të kundërshtuar dëbimin dhe kishte autorizuar avoketër. Mashtrim publik i rëndë. Me 8 maj i kërkojmë KLGJ-së shpalljen e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës. Prokuroria fshihet pas asaj se Ulsi Vuitoni apo i 500 mijë eurove edhe ky, me regjistrim, nuk jep përgjigje. Në qershor të vitit 2025 del se Irena Gjoka jo vetëm është dëbuar dy herë, por ka dënim penal të formës së prerë, të konvertuar më pas, ka falsifikuar dokumentarin e dekriminalizimit, pasi nuk e ka deklaruar këtë në formular dhe për këtë ka kryer vepër penale. Ka gënjyer në veting për të justifikuar 60 milionë lekë të paligjshme duke paraqitur një kontratë të vitit 1996 mes burrit të saj dhe vëllezërve të saj, dhe duke përmendur në atë kontratë nenet e një kodi civil të miratuar të paktën pothuajse 19 vjet më vonë. Pra, Irena Gjoka, e cila ka në CV-në e saj një seri veprash penale të rënda, një mashtruese ordinere, një gënjeshtare në formularin e dekriminalizimit, një gjykatëse që duhej të shkonte në burg dhe jo në gjykatë, për shkak se është e dënuar me burg, ndjehet e fyer pse unë i bëj një pyetje publike. Nuk është kjo çështje se Irena dhe Dumani janë si tenxherja dhe kapaku. Janë si binjakë siamezë në moral dhe çdo gjë. Por këtu është problemi i një sistemi të ngritur nga Edi Rama dhe të keqpërdorur në shkallën me ekstreme. E kuptoni ju edhe njëherë, Irena me 5 mbiemra, me dënime, me dëbime, e mashtrime, delinkuente, konsideron fyerje pyetjen që i unë i bëj. Me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Troplinit, ajo bën kallëzim ndaj meje. Tani, ky është sistemi.

Ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka, njëherazi edhe gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi kërkoi hetimin pas deklaratave të Argita Berishës, e cila akuzoi gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të PS. Por jo vetëm kaq! Kryetari i Partisë Demokratike ka nxjerrë një vendim i Gjykatës së Janinës në Greqi, sipas së cilit tregon se gjyqtarja Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme është e dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Por e pyetur nga BIRN mbi vendimin e dënimit, Gjoka e mohoi kategorikisht./ZËRI

Poll

MOS HUMB